Një operacion ndërkombëtar policor ka rezultuar me sekuestrimin e më se 5.7 tonelatave kokainë, vlera e së cilës në treg kap shifrën prej mbi 200 milion euro.
Lënda narkotike është konfiskuar në një jaht që lundronte në Oqeanin Atlantik. Shefi i policisë gjyqësore në Portugali, Luis Neves, ka thënë se dërgesa përbën njërin prej konfiskimeve më të mëdha në Evropë gjatë vjetëve të fundit dhe më të madhin në vend për 15 vjet.
Policia e mbështetur nga flota detare dhe njësitë e forcave ajrore të Portugalisë ka zbuluar lokacionin dhe ka ndaluar jahtin 24-metërsh gjatë lundrimit në det.
Me këtë rast, policia ka zbuluar 183 pako të kokainës. Autoritetet dyshojnë se kokaina i përkiste një rrjeti ndërkombëtar të kontrabandimit të narkotikëve që e trafikonte kokainën drejt Evropës nëpërmjet Gadishullit Iberik. Gjatë operacionit janë arrestuar tre persona.