Botë

Mbi 25 mijë të rinj marrin pjesë në festë ilegale në Madrid

Mbi 25 mijë të rinj kanë marrë pjesë në një festë ilegale në Madrid në fillim të semestrit në universitet.

Policia e Madridit ka thënë se festa është bërë pa paralajmërim dhe ka qenë vështirë të ndalet.

“Pa paralajmërim paraprak nga universiteti dhe pa kohë për t’u përgatitur për një operacion të tillë, shpërndarja e një tubimi prej rreth 25 mijë personave është një detyrë thuajse e pamundur”, ka thënë Policia në Madrid të shtunën, raportojnë mediumet spanjolle. 

Policia ishte e pafuqishme të shpërndante turmën e të rinjve që ishin duke pirë alkool, në festa që njihen si “botellon”.

Në fotot e publikuara në rrjete sociale, shumë persona shihen duke festuar , e duke pirë alkool në hapësira mes ndërtesave të universitetit në rrethin “Ciudad Universitaria” të Madridit. Shumica e tyre nuk mbanin maskë. Meqenëse policia nuk mund të prishte festën, ata qëndruan aty të përkujdeseshin që çdo gjë të shkonte pa problem.

“E neveritshme”, ka shkruar gazetari spanjoll Euprepio Padula në Twitter, ndërsa ka postuar videon. “25 mijë njerëz që bëjnë një ‘botellon’ të madhe . E turpshme”, ka shkruar Padula.