Autoritetet palestineze kanë thënë se mbi 21.000 persona janë vrarë në Gaza, prej kur ka nisur konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor të këtij viti.
BBC-ja ka raportuar të enjten se autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se në këto shifra s'janë përfshirë personat e djegur ose ata që kanë mbetur nën rrënoja pas bombardimeve nga ushtria izraelite. Ekspertë të sigurisë kanë thënë se Izraeli ka përdorur armatim të kombinuar ndaj Hamasit, por edhe shumë lloje të bombave.
Një burim i inteligjencës amerikane i ka thënë CNN-it se Izraeli i ka hedhur mbi 29.000 bomba në Gaza.
Spitalet në Gaza, ato që kanë mbetur të shfrytëzueshme, kanë fluks të madh të pacientëve që kërkojnë trajtim pasi u goditën nga sulmet e Izraelit derisa po qëndronin në vendbanimet e tyre.
Mijëra shtëpi janë bërë të pabanueshme.
Mbi 100 gazetarë ndërkombëtarë janë vrarë në zonat e luftës në Gaza.