Botë

Mayt i kërkohet ta caktojë datën e largimit të saj, si kusht për mbështetjen e Brexitit

Kryeministrja britanike, Theresa May përballej me presion të hënën, që ta caktojë datën e largimit të saj nga posti i të parës në qeveri, si kusht për ta siguruar mbështetjen brenda partisë së saj për marrëveshjen e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, marrëveshje kjo që tashmë është refuzuar dy herë nga parlamenti.

Në njërën prej kthesave më të rëndësishme për Britaninë e Madhe, politika britanike ndodhej në rrëmujë dhe, gati tri vjet pas referendumit të 2016-tës, ende ishte e paqartë nëse dhe kur do të mund të ndodhte Brexiti.

“Mori fund, Theresa”, shkruante në editorialin, në ballinën e gazetës “Sun”, të hënën. Përmes editorialit bëhej e ditur se mundësia e saj për ta siguruar mbështetjen e marrëveshjes nga parlamenti ishte që ta caktonte datën e tërheqjes së saj, raporton “Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Shpresoj që kabineti t’i thotë kryeministres se ka marrë fund”, ka deklaruar Andreë Bridgen, ligjvënës konservator, që e mbështet Brexitin, në një prononcim për “Sky Neës”.

“Kryeministrja nuk e ka besimin e partisë parlamentare. Është e qartë se ajo nuk e ka besimin e kabinetit dhe nuk e ka besimin e anëtarëve tanë nëpër Britani”, ka thënë ai.