Londër, 30 janar - Kryeministrja britanike Theresa May do t'i kërkojë Bashkimit Evropian (BE) të rihapë marrëveshjen e tërheqjes nga Unioni (Brexit), njoftoi kryeministria.
Në një deklaratë, zyra e kryeministres May tha se ajo u ka thënë liderëve të BE-së se ajo synon të rifillojë negociatat e Brexitit për ta miratuar marrëveshjen e saj në parlament.
Njoftimi erdhi në ditën kur ligjvënësit britanikë pritet të votojnë një sërë amendamentesh mbi marrëveshjen e tërheqjes dhe strategjinë e qeverisë për Brexitin.
BE ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do të rinegociojë marrëveshjen dakorduar, por se do të kenë në konsideratë zgjatjen e procesit të Nenit 50.
Britania duhet të largohet nga BE më 29 mars, me përjashtim nëse zgjatet Neni 50.
Edhe
Si e ndryshon Britania kryeministrin pa zgjedhje të përgjithshme?
Midis amendamenteve që do të votohen, nëse marrin dritën jeshile nga kryetari i parlamentit John Bercow sot, do të jetë ai i përgatitur nga deputetja e Partisë Laburiste Yvette Cooper, që do t'i kërkojë deputetëve të shtyjnë datën e Brexitit deri në nëntë muaj nëse një marrëveshje nuk mund të ratifikohet deri më 26 shkurt.
Një amandament tjetër i propozuar nga deputeti konservator Graham Brady synon t'i japë kryeministres një mandat për t'u kthyer në Bruksel për të negociuar një alternativë për klauzolën "backstop" e cila kundërshtohet nga shumica e parlamentit.