Evan Boettler, një adoleshent amerikan, kreu vetëvrasje pas një rasti të shantazhit seksual online, dukuri që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Një hetim në Nigeri zbulon rrjetet e organizuara të mashtruesve, ku teknologjia moderne dhe besimet tradicionale bashkohen për të përfituar, ndërsa familjet dhe autoritetet përballen me sfida të mëdha për drejtësi.
Një mesazh i frikshëm erdhi në rrjetet sociale për të riun amerikan, Evan Boettler: “Kam fotot e tua intime dhe gjithçka për të shkatërruar jetën tënde”.
Evan mendoi se po shkruante me një vajzë të re, por ishte një mashtrues online.
90 minuta pas mesazhit të parë, 16-vjeçari mori jetën e tij.
Sextortio, term për shantazhin seksual, është një prej krimeve online që po rritet më shpejt.
Numri i viktimave po rritet në SHBA dhe Evropë; mashtruesit i mashtrojnë që të dërgojnë foto ose video intime dhe më pas kërcënojnë se do t’i publikojnë nëse nuk marrin para.
“Nuk kuptoj si ndodhi. Kur na thanë atë natë se ai nuk ishte më, asgjë nuk kishte kuptim”, thotë nëna e Evanit, Kari.
Në shtëpinë e tyre në Misuri, ajo tregon se djali i tyre ishte i zgjuar, qesharak dhe donte peshkimin, sportin dhe gjuetinë.
Në një ditë të ftohtë në janar 2024, Evan u kontaktua në Snapchat nga një llogari që ai mendoi se ishte e një vajze me emrin “JennyTee60”.
Por “Jenny” nuk ishte ajo që dukej. Brenda pak minutash e bindi që t’i dërgonte foto intime dhe menjëherë nisi ta shantazhojë.
Gati dy vjet më vonë, dhimbja e familjes Boettler mbetet e thellë dhe kërkimi i tyre për përgjigje ka pasur vështirësi.
Platformat sociale, si Meta, nuk japin informacione pa urdhër gjykate dhe familja ende nuk ka një urdhër të tillë, pavarësisht se kanë kërkuar ndihmën e FBI-së.
Megjithatë, ishte lënë një gjurmë: një herë mashtruesi kërkoi fjalëkalimin e Facebookut të Evan dhe kur e përdori llogarinë, la pas një adresë IP.
Ajo adresë çoi hetuesin e BBC-së në disa lokacione në Nigeri, më shpesh në Lagos, qytetin më të madh aty; atje u përpoq të zbulonte kush ishte përgjegjës.
Hapat e parë e çuan në rrugicat ku ndodhen shumë mashtrues të qytetit, të njohur si “Yahoo Boys” - emri vjen nga e mailet që përdornin për mashtrime në fillim të viteve 2000.
“Gjuetia” për viktimën e radhës
Këta të rinj, shpesh në të 20-t, jetojnë në zona të varfra, por ëndërrojnë makina të shpejta dhe para të lehta.
Atje takoi Olen. Ai i shpjegoi se si funksionon mashtrimi seksual me shumë lehtësi.
“Ti hap një profil të një vajze duke përdorur emra të rremë nga faqe që gjenerojnë emra të rremë”, tha ai.
“Është një faqe që të jep emra njerëzish nga çfarëdo vendi që dëshiron”.
Pasi profili krijohet, “fillon gjuetia”.
Djemtë që janë në anën tjetër të ekranit nuk janë më njerëz për mashtruesit, por thjesht emra përdoruesish.
Ata dërgojnë qindra mesazhe çdo ditë, duke shpresuar që ndonjëri të dërgojë para.
Gazetari e pyeti nëse kjo i duket e pamëshirshme dhe mund të shkatërrojë jetën e dikujt.
Ai u përgjigj: “Nuk ndihem keq, sepse më duhen para”.
Për Olen ishte e pamundur të besonte se një djalë britanik apo amerikan nuk kishte para.
Sipas tij, të lindje në Perëndim do të thotë të jesh me fat dhe i pasur.
Kur e pyeti pse i shënjestron ata, ai u përgjigj thjesht:
“Sepse ata kanë shumë dëshira seksuale, dhe djemtë e rinj tremben kur mendojnë se fotot e tyre mund t’u dërgohen familjes, shokëve apo klasës”.
Ola punonte vetëm, por ka raste të tjera që tregojnë se shantazhi seksual në Lagos është kthyer në një rrjet të organizuar - banda me udhëheqës, hierarki dhe burime të përbashkëta, që synojnë të nxjerrin sa më shumë fitim.
Gjurmët e çuan gazetarin në ujërat e lagjes Makoko, një nga zonat më të varfra në qytet, ku shtëpitë prej druri janë të ndërtuara mbi shtylla mbi lagunën e Lagosit.
Për të filmuar atje, duhej më parë leje nga shefi i komunitetit, dhe ai e dërgoi edhe një ekip vendas që dinte të lundronte në kanalet e ngushta.
Gazetarit i kishin treguar për vende që quheshin “Mbretëri të Mashtrueseve” – dhoma ku grupe të rinjsh qëndrojnë me telefona dhe bëjnë mashtrime.
Këto vende rrallëherë janë filmuar. Por pas shumë negociatash, më lejuan të futesha.
Njëra prej këtyre mbretërive ishte në katin e dytë të një ndërtese të ulët.
Brenda ishte një dhomë e vogël, me dhjetëra djem që qëndronin me laptopë në prehër dhe telefonat që u tingëllonin vazhdimisht.
Atmosfera ishte si në një qendër thirrjesh - ndanin profile të rreme, shkëmbenin mesazhe të përgatitura dhe lista viktimash.
Çdo djalë kishte një rol, por të gjitha paratë shkonin te udhëheqësi i tyre, i njohur si Ghost.
Aty mashtruesit me përvojë trajnonin fillestarët.
Tundimi ishte paraja e shpejtë, por pas kësaj fshihej diçka më e errët - djem të vegjël, edhe adoleshentë, ishin futur në krim si të ishin mashtruar apo detyruar.
Mentorët më të vjetër u tregojnë histori suksesi dhe statusi, por njëkohësisht u marrin para ose një përqindje nga çdo mashtrim.
Kjo krijon një rreth vicioz që është e vështirë të dilet.
Flijime për pasuri
Duke i parë duke punuar, gazetari kuptoi se kjo nuk ishte më vepër e një personi të vetëm.
Ishte një sistem i organizuar, efikas dhe i pamëshirshëm, i krijuar për të nxjerrë sa më shumë para.
Udhëheqësi Ghost tha se ata zakonisht bënin mashtrime financiare, kryesisht me romanca, jo shantazh seksual, sepse, sipas tij, ishte “njeri që kishte frikë Zotin”.
Ai tha se vetëm njerëzit me “zemër të zezë” bënin këtë lloj mashtrimi.
Mashtruesit thanë se shumë “Yahoo boys” po kalonin në fazën që e quanin “Yahoo Plus”.
Kjo nënkuptonte se ata vizitonin priftërinj vendas për t’i bekuar mashtrimet dhe për të bërë magji që besonin se do t’i bënte viktimat më të bindura, ose do t’i mbronte ata nga kapja.
Gazetari i BBC-së takoi Aden, një 20-vjeçar që kishte filluar së fundmi të mashtronte burra përmes mashtrimit seksual.
Ai pranoi ta shoqëronin te një i ashtuquajtur “spiritualist kibernetik” - një njeri që Ade besonte se mund ta ndihmonte të fitonte më shumë para.
Shenjtërorja ndodhej në një rrugicë të ngushtë, në periferi të qytetit - një dhomë me çati të ulët, e mbushur me figura të gdhendura.
Një pëllumb i bardhë u soll dhe u flijua, me gjakun që u derdh në dysheme.
Ades iu kërkua të hante një pjesë të flijimit - një ritual që, sipas spiritualistit, do ta lidhte me pasurinë dhe mbrojtjen.
I pyetur për përhapjen e këtij rituali, ai tha se çdo ditë priste gjashtë deri në shtatë “Yahoo Boys”.
Për Aden, ky nuk ishte një akt supersticioni, por një shpenzim i domosdoshëm për biznesin.
Më vonë, gazetari zbuloi një tjetër mashtrues që përdorte një formë moderne të manipulimit -teknologjinë “deepfake”.
Ai kishte punësuar një grua të quajtur Rachel për të qenë fytyra e mashtrimit.
Mashtruesi tregoi aplikacionin që përdorte në laptop - një program profesional për ndërrimin e fytyrave, me kosto 3.500 dollarë.
Sipas tij, ishte një investim që ia vlente për fitimet që siguronte.
Në Shtetet e Bashkuara, raportimet për mashtrimet e tilla në FBI janë më shumë se dyfishuar gjatë tre vjetëve të fundit, duke arritur në 55.000 raste në vitin 2024.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Agjencia Kombëtare e Krimit merr mesatarisht 110 raportime në muaj.
Në Karolinën e Jugut, gazetari takoi Brandon Guffey, një përfaqësues shtetëror, djali i të cilit - Gavin - i dha fund jetës në vitin 2022, pasi u shantazhua në Instagram. Ai ishte 17 vjeç.
Para vdekjes së të birit, Guffey po përgatitej të padiste kompaninë Meta, duke argumentuar se ajo kishte dështuar në mbrojtjen e tij nga shantazhuesit online.
Një nga llogaritë që ishte përdorur për ta shantazhuar Gavinin u fshi më vonë, por disa të tjera mbetën aktive.
Për Guffeyn, kjo ishte dëshmi e qartë e mungesës së reagimit të duhur.
Meta deklaroi se në vitin 2024 kishte fshirë 63.000 llogari të lidhura me mashtrime seksuale në Nigeri, përfshirë 2.500 që ishin pjesë e një rrjeti të organizuar që shënjestronte adoleshentë nga vendet perëndimore.
Megjithatë, kritikët thonë se këto shifra thjesht tregojnë sa i madh është problemi.
Një zëdhënës i Metës u përgjigj se pretendimi se kompania mund të zhdukë mashtrimet e tilla vetëm po të dojë, nuk është i vërtetë.
Sipas tij, Meta po punon në mënyrë aktive për të prishur rrjetet e mashtruesve dhe për të ndihmuar autoritetet.
Kritika ndaj kompanive
Skepticizmi i prindërve që kanë humbur fëmijët pas shantazheve nuk vjen vetëm nga jashtë kompanisë.
Edhe brenda Metës ka pasur kritika. Arturo Bejar, një ish-drejtor inxhinierie që më pas u bë informator, dëshmoi në Kongresin Amerikan në vitin 2023 se drejtuesit e kompanisë kishin injoruar paralajmërimet për rreziqet që u kanosen fëmijëve në platformat e tyre.
Ai u tha gazetarëve se sistemet që pretendojnë të mbrojnë përdoruesit e rinj janë thelbësisht të papërshtatshme.
Meta u përgjigj duke thënë se shumë nga masat e propozuara nga Bejari tashmë janë zbatuar.
Kompania shtoi se në Instagram, llogaritë e adoleshentëve tani kanë mbrojtje të integruar, që lejon të marrin mesazhe vetëm nga njerëz me të cilët janë tashmë të lidhur.
Zëdhënësi i Metës tha gjithashtu se kur një përmbajtje raportohet si “spam”, ndërmerren masa nëse ajo shkel rregullat e komunitetit.
Lidhur me rastin e Evan Boettler, Snapchat deklaroi: “Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen Boettler!”.
“Ne nuk e tolerojmë aspak mashtrimin seksual në Snapchat. Nëse e zbulojmë këtë aktivitet, marrim masa të menjëhershme për të hequr llogaritë dhe bashkëpunojmë me autoritetet për të ndëshkuar autorët”.
Fondacioni për Vëzhgimin e Internetit (IWF) ofron një mjet që adoleshentët në mbarë botën mund ta përdorin për të raportuar në mënyrë konfidenciale foto intime të vetes.
Ata mund të kërkojnë që imazhet të hiqen nga interneti dhe të ndalohet publikimi i tyre i ardhshëm.
Edhe nëse përmbajtja nuk është publikuar ende, organizata mund të krijojë një “gjurmë digjitale” të saj që e ndalon përhapjen në rrjet.
Ndërkohë, për prindërit e Evanit, pengesat për të arritur drejtësi mbeten të pakapërcyeshme.
Meqë Meta dhe Snapchat nuk mund të jepnin të dhënat, e vetmja shpresë për të identifikuar mashtruesin e Evanit mbështetej te GloWorld - një ofrues shërbimi në Nigeri, ku ishte gjurmuar adresa IP.
Pas muajsh përpjekjesh, gazetari mori më në fund një përgjigje.
Edhe pse GloWorld duhej të ruante informacionin e përdoruesve për dy vjet, kishte dështuar ta bënte. Gjurmët ishin fshirë - hetimi kishte ngecur përfundimisht.
Kur gazetari kontaktoi familjen Boettler, ata u treguan mirënjohës dhe falënderuan për përpjekjet.
Brad, babai i Evanit, e kishte përshkruar më parë djalin e tij si “një fëmijë të mrekullueshëm”.
“Nuk ishte e vështirë të ishe prind i tij, sepse ishte një fëmijë i mirë”, - tha ai.
“Nuk mund ta shpreh me fjalë sa shumë e kam dashur”.