Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Martin Shkreli kërkon të lirohet nga burgu për të ndihmuar në betejën me koronavirusin

Martin Shkreli, që aktualisht ndodhet në burg në SHBA për mashtrime me letra me vlerë, po kërkon të lirohet nga burgu, në mënyrë që të ndihmojë në betejën globale me koronavirusin.

Shkreli, ndërmarrës në fushën e farmaceutikës, që fitoi nam të keq pasi bleu të drejtat e një ilaçi ekzistues dhe e rriti çmimin e tij, ka nxjerrë nga burgu një studim në bashkëautorësi, përmes të cilit hulumton efikasitetin e ilaçeve ekzistuese kundër virusit, raportojnë mediet amerikane, transmeton KOHA.

Në deklaratën e autorit në fund të hulumtimit, Shkreli ka kërkuar lirim tremuajsh, për të ndihmuar me hulumtimet rreth COVID-19, duke cituar kredencialet e tij si ndërmarrës në industrinë e farmaceutikës.

“Kimistët mjekësorë, biologët strukturorë, enzimologët dhe departamentet që merren me zhvillim dhe hulimtim biologjik në secilën kompani farmaceutike duhet të angazhohen, deri të mos ketë më COVID-19”, shkruan Shkreli.

“Të jesh i liruar në botën e pas COVID-19 nuk paraqet ngushëllim, madje as për të burgosurit. Si ndërmarrës i suksesshëm në fushën e ndërmarrësisë farmaceutike, që ka blerë shumë kompani… jam njëri prej drejtuesve të paktë me përvojë në të gjitha aspektet e prodhimit të barnave”, shkruan ai në vazhdim.

Shkreli është në burg, duke e vuajtur dënimin shtatëvjeçar.