“Loja e gjatë e Erdoganit, prej mbështetjes së të drejtave të kurdëve e deri në paktin me nacionalistët, është rifuqizuar këtë javë, kur një prokuror i shtetit ka ndaluar veprimtarinë e Partisë Demokratike Popullore pro-kurde (MDP) shkaku i lidhjeve militante, pas disa muajsh thirrje për ta bërë një gjë të tillë nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste e Bahçelit”
Në ditët e hershme të bisedimeve paqësore me militantët kurdë më 2013-n, kryeministri i atëhershëm turk, Recep Tayyip Erdogan, fliste kundër ndasive etnike dhe kishte deklaruar famshëm: “Jemi Qeveri që ka nëpërkëmbur çdo lloj nacionalizmi”.
Tetë vjet më vonë, shumë kohë pasi që bisedimet dështuan karshi ngritjes së dhunës, analistë të shumtë që kanë folur për agjencinë e lajmeve Reuters, kanë thënë se Erdogani, tani president, është bërë përherë e më i varur nga aleatët e tij nacionalistë në Parlament, të prirë nga politikani Devlet Bahçeli.
Kjo, sipas analistëve, ka kufizuar opsionet e tij politike, ka ushqyer veprimet nacionaliste dhe njëherësh ka armiqësuar kurdët kudo në vend.
“Loja e gjatë e Erdoganit, prej mbështetjes së të drejtave të kurdëve e deri në paktin me nacionalistët, është rifuqizuar këtë javë, kur një prokuror i shtetit ka ndaluar veprimtarinë e Partisë Demokratike Popullore pro-kurde (MDP) shkaku i lidhjeve militante, pas disa muajsh thirrje për ta bërë një gjë të tillë nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste e Bahçelit”, ka shkruar agjencia.
Kapërcimi i madh i Erdoganit
Edhe
Policia turke arreston 13 opozitarë që zgjodhën udhëheqësin e rrëzuar
Cengiz Candar, i cili ka përpiluar një raport ekzaminues mbi mënyrën se si t’i jepet fund kryengritjes disadekadëshe, ka theksuar se koha e masës ndaj HDP-së, pikërisht para Kongresit të MHP-së së Bahçelit, ka dëshmuar peshën e rënduar të politikanit në vendimmarrje.
“Krejt kjo ilustron se autokracia turke po bëhet akoma më represive karshi kurdëve dhe... edhe më nacionaliste”, ka thënë komentuesi veteran politik për Reutersin. “Ose Erdogani është bërë peng i tyre (MHP-së) ose po vepron në unitet me ta. Tuneli në të cilin Qeveria e ka futur Turqinë, po bëhet përherë më i errët. Në fund të tij drita nuk po shihet”.
Duke e mbrojtur këtë qëndrim, dy udhëheqësit e HDP-së pro-kurde, Pervin Buldan dhe Mithat Sancar, kanë thënë nëpërmjet një deklarate se AKP-ja e Erdoganit i “ka ofruar një dhuratë Kongresit të MHP-së nëpërmjet vendimit, ndërsa prokurorët kanë vepruar sipas udhëzimeve politike”.
Pavarësisht të gjithave, Qeveria insiston se Gjyqësori në Turqi është i pavarur.
Vetë AKP-ja me rrënjë islamiste e Erdoganit, e cila është në pushtet që nga 2002-a, i ka mbijetuar për një fije peri një rasti të mbylljes më 2008. Ama asokohe Erdogani fliste ende për një lloj pajtimi me kurdët. Më 2015, dështimi i armëpushimit me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK), të cilën, si Turqia, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kategorizojnë si organizatë terroriste, ishte bërë shkaku që lideri turk të merrte një qëndrim më të ashpër. Me mijëra pjesëtarë të HDP-së janë arrestuar që atëherë në kuadër të shtypjes dhe shumë ligjvënës dhe kryebashkiakë të partisë ose janë shkarkuar ose kanë përfunduar në burgje.
Drejtori për komunikime i Erdoganit, Fahrettin Altun, ka thënë se HDP-ja ka “lidhje organike” me PKK-në, ka shkruar Reuters. Mirëpo, HDP-ja, partia e tretë më e madhe në Turqi, ka hedhur poshtë çdo lidhje të mundshme me PKK-në.
Edhe
Gjykata turke largon kreun e partisë kryesore opozitare
Klima e ndryshuar politike
Në vitet e hershme të udhëheqjes, Erdogani, i frymëzuar nga shpresa për bisedime të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kishte zgjeruar të drejtat politike dhe kulturore të kurdëve, të cilët në total përbëjnë rreth 20 përqindëshin e popullatës 84 milionëshe të Turqisë. Kësisoj edhe e kishte fuqizuar mbështetjen për të, AKP-në dhe Qeveritë që i drejtonte.
Mirëpo, një sondazh i kohëve të fundit ka treguar se mbështetja për AKP-në dhe MHP-në ka shënuar rënie të theksueshme, pikërisht në kohën kur Qeveria po lufton kundër tkurrjes ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Mirëpo, zgjedhjet nuk parashihet që të mbahen para 2023-s.
Gonul Tol, drejtoreshë e programit për Turqi në Institutin për Lindjen e Mesme, ka thënë për Reutersin se Erdogani ka synuar përçarjen e opozitës, duke e ndjekur politikën e kriminalizimit të HDP-së që nga 2015-a.
“Erdogani dhe aleatët e tij nacionalistë do të vazhdojnë të përdorin kartën kurdë për ta mbajtur të bashkuar bazën e tyre”, ka thënë Tol për agjencinë.
Edhe
Ish-drejtuesi i partisë kryesore opozitare turke zotohet ta sfidojë Erdoganin me parti të re
Ndërkaq, Galip Dalay, një anëtar i Akademisë Bosch, ka specifikuar se përcaktimi kohor i mbylljes së partisë nuk do të dalë të jetë vendim politikisht i mençur për AKP-në. Sipas tij, opsionet e presidentit duken të kufizuara në aleancën me nacionalistët.
“Ky veprim i djeg urat e mëtutjeshme midis partisë qeverisëse, AKP, dhe kurdëve, ndërsa i kontribuon armiqësimit politik të vetë kurdëve”, ka thënë ai.