Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macroni akuzon Le Penin se ka qëllime autoritare

Francezët bëhen gati për të votuar, garë e fortë mes Macronit e Le Penit

Presidenti aktual francez, Emmanuel Macron, ka akuzuar të mërkurën rivalen e tij në garën për president, Marine Le Pen, duke thënë se ajo ka qëllime autoritare.

Sipas Macronit, Le Peni i ka shfaqur këto qëllime kur paralajmëroi mosakreditimin e një grupi gazetarësh për pjesëmarrje në konferenca për shtyp dhe se nuk ka përjashtuar rikthimin e dënimit me vdekje.

"Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, fytyra e vërtetë e ekstremit të djathtë po tregohet. Fytyrë që nuk respekton liritë, kuadrin kushtetues, pavarësinë e shtypit dhe liritë themelore e të drejtat”, ka thënë Macron për televizionin France 2, raportoi Reuters të mërkurën.

Macron ka pretenduar se Le Peni fsheh një agjendë të ekstremit të djathtë që çon në largimin e Francës nga Bashkimi Evropian.

Akuzave të Macronit u është përgjigjur Le Peni në një fushatë zgjedhore jashtë Parisit, duke thënë se ai nuk është në gjendje të japë mësime se si të trajtohet shtypi.

Para se të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 24 prill, të dy kandidatët po tentojnë të fitojnë votuesit e krahut të majtë, veçanërisht nga kandidati që doli i treti, Jean-Luc Melenchon. Ai arriti të fitojë mbi 20 për qind të votave në zgjedhjet e 10 prillit.