Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, po e cilëson të zvarritur pushtimin rus në Ukrainë të nisur para 10 javëve.
Aleati i Putinit, tha të enjten për Associated Press (AP), se Moska zyrtare duhej të vepronte për shkak se Ukraina “po e provokonte”. Po ashtu tha se Bjellorusia është për paqe.
“Ne kategorikisht nuk pranojmë asnjë luftë. Kemi bërë dhe po bëjmë gjithçka që të mos ketë luftë. Falë nesh, negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë kanë nisur”, deklaroi ai.
Sipas presidentit bjellorus, përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë do të ishte akt “i papranueshëm sepse është pranë nesh (Bjellorusisë v.j.). Ne nuk jemi përtej oqeanit siç është SHBA-ja”.
Lukashenko potencoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po kërkon konflikt të drejtpërdrejtë me NATO-n, dhe Perëndimi sipas tij, duhet ta sigurojë që të mos ndodhë një gjë e tillë.
67-vjeçari e quajti Putinin “vëllain e tij të madh” duke shtuar se lideri rus nuk ka marrëdhënie më të ngushta, më të hapura dhe më miqësore me asnjë nga liderët botërorë sesa me të.
Për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Lukashenko tha se po merr urdhra nga SHBA-ja.
“Sot nuk është Zelensky ai që drejton Ukrainën – pa ofendime, ky është këndvështrimi im, ndoshta e kam gabim”, tha Lukashenko, duke shtuar se nëse presidenti i SHBA, Joe Biden thotë diçka, “gjithçka do të ndalej brenda një jave”.
Për situatën e krijuar në Ukrainë, “vëllai i Putinit” tha se fajtor është Washingtoni.
“SHBA-ja dëshiron të shfrytëzojë momentin, duke lidhur aleatët e saj me veten dhe të shtyjë Rusinë në luftën me Ukrainën”.
Lukashenko, që e mban postin e presidentit tash e disa mandate, deklaroi se për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, nisi të krijonte lidhje edhe më të ngushta me presidentin Putin.