Numri i civilëve që kanë emigruar pranë linjës kufitare turke nga rajoni sirian i Idlibit që nga fillimi i nëntorit, është rritur në 284 mijë.
Kjo shifër është pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit, Rusisë dhe grupeve të mbështetura nga Irani, transmeton KTV. Popullata në provincën e Idlibit filloi të zhvendoset drejt linjës kufitare me Turqinë qëkur regjimi sirian dhe mbështetësit e tij i filluan sulmet në nëntor dhe nisën një operacion më 20 dhjetor.
Familjet nga Idlibi kanë vazhduar të shpërngulen pranë linjës kufitare turke nga frika e vazhdimit të sulmeve, edhe pse bombardimet e fuqishme u zvogëluan nga fillimi i javës së kaluar.
Mijëra civilë kanë vështirësi të gjejnë strehim për shkak të mbushjes së kampeve në Idlib, mungesës së infrastrukturës për vendosjen e tendave të reja dhe zvogëlimit të ndihmave humanitare.