Botë

Loja e fëmijëve ukrainas në vijën e parë të frontit

Fëmijët dridhen si fantazma në terrenet e zbrazëta të lojërave në oborret me barëra të këqija thellë në një qytet ukrainas. Banorëve u është thënë se tani mund të dalin në oborr, pas disa muajsh bombardimesh.

Tania, gjashtëvjeçare, nuk ka më shok lojërash në lagjen e saj në qytetin Kramatorsk. Ajo ulet në stol, vetëm disa hapa larg stacionit të trenit të qytetit që u sulmua nga Rusia në prill, duke vrarë më shumë se 50 njerëz që ishin mbledhur atje për t'u evakuuar. Mbetjet e një rakete nga ai sulm mbanin mbishkrimin në rusisht: “Për fëmijët”.

Tania dhe prindërit e saj nuk kanë frikë të qëndrojnë. Në hijen pranë stacionit tashmë të mbyllur, ata mirëpresin çfarëdo qetësie që mbetet mes bombave të artilerisë që përpiqen të mbajnë jashtë forcat ruse.

“Bombat bien në të gjithë vendin. Nuk ka kuptim të arratisesh”, thotë babai i Tanias, Oleksandr Rokytianskyi.

Duke folur me veten derisa ngjyros një kuti lodre me ngjyra, Tania shton: “Bang, bang!”

Nuk është e pazakontë që banorët e moshuar të Ukrainës lindore të refuzojnë t'i dëgjojnë thirrjet për t'u evakuuar në vende më të sigurta diku tjetër në vend. Megjithatë, ajo që është e bezdisshme është të shohësh fëmijë, madje edhe një karrocë fëmijësh, pranë vijës së parë të frontit. Nuk dihet se sa prej tyre kanë mbetur, derisa rusët kryejnë ofensivën e tyre në rajon.

Fëmijët nuk mund t'i shpëtojnë luftës, edhe në qytetet që konsiderohen të sigurta. Prindërit e Tanias, folën ditën kur një raketë ruse goditi, Vinnytsian, larg nga fronti në Ukrainën qendrore, duke vrarë 23 njerëz, përfshirë tre fëmijë, një vajzë 4-vjeçare të quajtur, Liza Dmytrieva, dhe dy djem të moshës 7 dhe 8 vjeç.

Fati i luftës

Fëmijët që qëndrojnë pranë luftimeve kanë fatin e tyre të lidhur me atë të prindërve dhe rreziqet mund të jenë të papritura.

Jashtë një spitali, 18-vjeçari Sasha ulet duke pirë duhan me mikun e tij 15-vjeçar. Krahu i djathtë i Sashës është me fasha dhe shikon botën nga sytë e nxirë. Ai ka gërvishtje në të gjithë trupin, pasi u godit derisa kalonte rrugën, nga një prej automjeteve ushtarake që gjëmonte nëpër rajon. Ushtarët ukrainas e ndihmuan atë të gjente një ambulancë, thotë ai, të folurit e të cilit është dëmtuar nga plagët e marra.

Sasha nuk e di pse jeton ende këtu. Nëna e tij vendosi që familja të mos largohej. Ashtu si disa në Ukrainën lindore, ai nuk e ndau mbiemrin e tij nga shqetësimi për sigurinë e tij.

“Më mirë të qëndroj sepse kam miq këtu”, thotë ai, por nëse do të kishte fëmijë të vegjël, do t'i largonte që aty.

Në dhomën e spitalit me katër shtretër, që Sasha ndan me pacientë të tjerë, një burrë i moshuar i quajtur Volodymyr ka dorën e djathtë të fashuar fort. Ai thotë se ishte në kopshtin e tij në një fshat afër Bakhmutit, kur shpërthyen bomba thërrmuese.

Image

Familja e tij, duke përfshirë fëmijën e tij 15-vjeçar, planifikon të qëndrojë.

Por “të vegjlit duhet të evakuohen”, thotë Volodymyr. ‘Të vegjlit nuk kanë parë shumë në jetë”.

Maksymi, ushtar i plagosur që po shërohej nga tronditja e pësuar gjatë granatimeve, pajtohej me të.

Për herë të parë që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, ai ka lënë hendeqet pyjore dhe është në gjendje të flasë me telefon, me vajzën e tij adoleshente, e cila është e sigurt në qytetin jugor të Zaporizhzhias, disa orë larg me makinë.

Ky është gjithashtu shansi i parë i Maksymit, për të parë çfarë ndodh për jetën normale në Ukrainë, në pothuajse gjashtë muaj, dhe ai habitet kur ende sheh fëmijë kaq pranë vijës së frontit

“Ata janë fëmijë”, thotë ai, me të njëjtën ashpërsi që përdor për ta quajtur të gjithë luftën “marrëzi”.

Mjeku Vitalii Malanchuk thotë se një numër shumë i madh i fëmijëve janë të shtruar në spital.

Ndërsa sirena e fundit e sulmit ajror bie dhe artileria shpërthen, në një shesh lojërash në Kramatorsk, një vajzë me flokët bisht, klith dhe ia mbath, e shoqëruar nga një djalë i vogël. Lojëra e vogël rrotulluese në park vazhdon të lëvizë.

Dmytro dhe Karyna Ponomarenko presin vajzën e tyre, Anhelina, gati 5-vjeçare, së bashku me biçikletën e saj rozë me rrota stërvitje.

Nuk ka vende të sigurta, thonë ata, dhe Kramatorsk është shtëpia. Ata mendojnë se është e vështirë dhe e kushtueshme të largohen dhe të fillojnë jetën rishtas, diku tjetër. Disa banorë që u larguan tani po kthehen, thanë ata, duke preferuar t’i shfrytëzojnë shanset e tyre.

Alarmet e zakonshme

Ata do të qëndrojnë për aq kohë sa të munden, edhe kur rusët afrohen më shumë.

“Ajo është mësuar me sirenat, por shpërthimet ende e shqetësojnë atë”, thotë Dmtryo për Anhelinën. Ata i thonë asaj se është bubullimë, por disi ajo ka mësuar t’u frikësohet avionëve, madje edhe atyre ukrainas. Ka më pak fëmijë me të cilët mund të luajë dita-ditës, por Anhelina argëton veten, thotë babai i saj.

“Hiperaktive”, shton ai me dashuri.

Me ardhjen e mbrëmjes, familja largohet, duke ecur pranë statujës së një tanku, që tani është më i madh se ata realët në rrugë. Hijet bien buzë sheshit të plasaritur të betonit. Sirena e sulmit ajror vazhdon ende.

Përktheu: Forca Jashari