Londra u bë aq e nxehtë këtë verë sa gazetat u mbushën me titujt që thoshin se temperaturat aty kishin kaluar ato të Dubait.
Një pas një, shtetet evropiane si Spanja dhe Portugalia regjistruan temperatura rekorde këtë vit.
Hemisfera veriore vërtet dëshmoi temperatura rekorde, me zjarre që ngulfatën pjesë të Evropës dhe thatësira që kërcënon furnizimet ushqimore. Dhe shpesh, qytetet evropiane dëshmuan mot më të nxehtë se në Gjirin Persik, shkroi të premten CNN.
Por, ekspertët thonë se vetëm temperatura nuk është matës i jetesës adekuate në një qytet – kombinimi i nxehtësisë dhe lagështirë është. Kjo është arsyeja pse Lindja e Mesme është shumë më pak e jetueshme se Evropa edhe në të njëjtat temperatura.
Lindja e Mesme është ende mjaft e nxehtë. Qyteti iranian, Abadan, shënoi rekord për temperaturën për të nxehtë këtë vit me 53 gradë celsius më 5 gusht. Por, kombinuar me nivelin e lartë të lagështisë në rajon, bëhet një vend edhe më i pabanueshëm për njerëzit. Është më e vështirë të freskohesh kur moti është me lagështi, pasi trupat tanë luftojnë për ta transferuar nxehtësinë e tyre në ajër “të lagësht” në vend të ajrit të thatë, duke e bërë djersitjen dhe uljen e temperaturës së trupit më të vështirë.
Lindja e Mesme është veçanërisht e ndjeshme ndaj rritjes së temperaturave globale.
“Rajoni veçse është i ngrohtë dhe mund të jetë i lagësht. Prandaj, ngrohja globale mund ta shtyjë në zonën ku shëndeti i njeriut është i rrezikuar”, tha Tapio Schneider, profesor në Institutin për Teknologji të Kalifornisë.
Më 19 korrik, Mbretëria e Bashkuara përjetoi ditën më të nxehtë duke kaluar temperaturat 40 gradë celsius për herë të parë.
Shtetet arabe të pasura me naftë të Gjirit Persik e kanë pajisur veten kundër të nxehtit, me kondicioner me energji intensive, por shtetet e tjera në rajon nuk kanë qenë aq të privilegjuara.
Në Irak, punëtorëve në qytetin Basra u kërkua të qëndronin në shtëpi për shkak të temperaturave të larta në fillim të muajit. Megjithëse, shtëpitë marrin vetëm 10 orë energji nga rrjeti kombëtar, me ata që mund të përballojnë të paguajnë gjeneratorë për të mbuluar orët e tjera.
Në Gaza, banorët freskohen në 3 deri 4 orët e energjisë elektrike që marrin në ditë, duke vuajtur për periudha deri në 20 orë pa energji çdo ditë. Njëjtë, edhe qeveria e Libanit më nuk ofron më shumë se dy orë energji në ditë.
Nëse ritmi aktual i emetimeve të serave mbetet konstant në Gjirin Persik, temperaturat maksimale vjetore kombinuar me lagështinë në qytete si Abu Dhabi, Dubai dhe Doha do të tejkalonin pragun e mbijetesës njerëzore (35 gradë celsius) disa herë në vit deri në fund të shekullit.