Një udhëheqës i lartë i Hamasit ka refuzuar ta pranojë se grupi i tij ka vrarë civilë në Izrael, duke pretenduar se vetëm ushtarët u shënjestruan.
Moussa Abu Marzouk ka thënë për BBC se “gratë, fëmijët dhe civilët u kursyen” në sulmin e Hamasit më 7 tetor.
Pretendimet e tij janë dukshëm në kundërshtim me videodëshmitë e shumta ku shihen militantët e Hamasit duke shtënë te të rritur e fëmijë të paarmatosur.
Izraeli ka thënë se afro 1400 persona janë vrarë nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit, shumica e tyre civilë.
Marzouk, zëvendëslider politik i Hamasit, të cilit i janë ngrirë asetet në Britani të Madhe, është intervistuar të shtunën.
Edhe
Izraelitët të ndarë shënojnë dyvjetorin e nisjes së luftës në Gazë
Ai është zyrtari më i lartë i Hamasit që ka folur për BBC-në që nga sulmi i 7 tetorit.
BBC e ka pyetur Marzoukun për luftën në Gaza, e veçanërisht për pengjet që po mbahen atje.
Ai ka thënë se Hamasi nuk mund t’i lirojë pengjet, derisa Izraeli ende bombardon Gazan. Hamasi pretendon se nga bombardimet në Gaza kanë humbur jetën mbi 10 mijë persona.
“Ne do t’i lirojmë ata. Por, luftimet duhet të ndalen”, ka thënë Marzouk.
Ai së fundi udhëtoi në Moskë për të diskutuar për tetë shtetas rusë-izraelitë që u morën peng nga Hamasi më 7 tetor.
Ai ka thënë se anëtarët e Hamasit në Gaza kanë shikuar dhe kanë gjetur dy gra pengje nga Rusia, por nuk kanë mundur t’i lirojnë për shkak të konfliktit.
Ai ka thënë se pengjet mund të lirohen vetëm nëse “izraelitët ndalojnë luftimet dhe ato i dorëzohen Kryqit të Kuq”.
Edhe
Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve
Kur u pyet nga BBC për sulmin e 7 tetorit, Marzouk tha se Mohamed el-Deif, lideri i Brigadave Qassam të Hamasit, i ka urdhëruar burrat që të kursejnë civilët.
“El-Deif qartë u tha luftëtarëve ‘mos vrisni gra, mos vrisni fëmijë dhe mos vrisni të moshuar’”, ka thënë Marzouk.
Ai tha se rezervistët ushtarakë janë shënjestruar.
Ai insistoi se vetëm “rezervistë apo ushtarë” janë vrarë.
Por, tha se “gratë, fëmijët dhe civilët janë kursyer”.
Marzoukut iu tregua një video e bërë nga helmetat e luftëtarëve të Hamasit, ku shihen civilë të paarmatosur duke u qëlluar në veturat e tyre dhe shtëpitë e tyre.
Marzouk nuk iu përgjigj pyetjeve në mënyrë direkte.
Edhe
Pse i ka kthyer Izraeli sulmet në Gaza?
Kur ai u pyet nëse krahu politik i Hamasit e dinte për sulmin e përgatitur nga krahu ushtarak i grupit, Marzouk tha se krahu ushtarak “nuk ka pse të konsultohet me lidershipin politik”.
Krahu politik, që gjendet në Katar, shpesh e paraqet veten si të distancuar nga forcat ushtarake në Gaza.