Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Liderë botërorë reagojnë për vdekjen e Navalnyt

Një pjesë e liderëve botërorë kanë reaguar menjëherë për vdekjen në burg të liderit opozitar rus, Alexei Navalny të premten.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se nëse vdekja e Navalny konfirmohet, kjo "vetëm nënvizon dobësinë dhe kalbjen në zemër të sistemit që Putini ka ndërtuar".

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka bërë përgjegjëse Rusinë për “vdekjen tragjike” të Navalnyt.

Në një postim në X, Michel është shprehur se Navalny “ka luftuar për vlerat e lirisë dhe demokracisë” dhe se ka bërë “sakrificën përfundimtare” me vdekjen e tij.

“U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes. Dhe atyre që luftuan për demokraci rreth botës, në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk përfundon kurrë”, ka shtuar Michel.

Edhe Një vit nga vdekja e Navalnyt, e veja e tij akuzon Putinin për fshehjen e së vërtetës Botë Një vit nga vdekja e Navalnyt, e veja e tij akuzon Putinin për fshehjen e së vërtetës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se aktivisti rus “ka paguar për kurajon me jetën e tij”.

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se është i pikëlluar me lajmin që ka marrë.

“Jam i pikëlluar dhe i shqetësuar nga raportet që vijnë nga Rusia”, është shprehur ai.

Lajmi për vdekjen e Navalnyt e ka pikëlluar edhe kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, i cili është shprehur se lideri opozitar rus “ka demonstruar kurajo të pabesueshme gjatë jetës së tij”.

Navalny ka vdekur në moshën 47-vjeçare dhe njihej si armiku më i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai luftoi kundër korrupsionit zyrtar dhe organizoi protesta masive kundër Kremlinit.

Edhe E veja e Navalnyt thotë se do të garojë për presidente të Rusisë Botë E veja e Navalnyt thotë se do të garojë për presidente të Rusisë

Shërbimi Federal rus i Ndëshkimit tha në një deklaratë se Navalny nuk ndihej mirë pas një shëtitje të premten dhe humbi vetëdijen.