Gjykata e Kushtetuese e Spanjës ka vendosur që mbyllja e vitit të kaluar e shtetit si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ishte antikushtetuese.
Vendimi i ka hapur mundësinë njerëzve që janë gjobitur për thyerje të këtyre rregullave, që të kërkojnë rikthimin e parave që kanë paguar. Mirëpo Gjykata ka thënë se nuk do të pranojë procese gjyqësore nga personat apo biznese të cilat dëshirojnë të padisin qeverinë për shkak se kanë humbur para si pasojë e mbylljes.
Qeveria spanjolle kishte shpallur gjendjen emergjente më 14 mars të vitit 2020 për të parandaluar valën e parë të infektimeve me koronavirus. Pavarësisht kësaj, rastet pozitive me COVID-19 dhe vdekjet si pasojë e pandemisë po rriteshin, dhe spitalet tashmë ishin mbingarkuar. Që atëherë, më shumë se 81,000 njerëz në Spanjë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.
Spanja ka tri nivele të emergjencës: gjendjen emergjente, gjendjen e përjashtimit dhe nivelin më të lartë, gjendjen e rrethimit.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur përmes një qëndrimi, të votuar nga shumica e anëtarëve të saj, se gjendja emergjente nuk ishte e mjaftueshme për t’i dhënë kufizimeve mbështetje institucionale. Kjo sepse, sipas saj, rregullat ishin ekuivalente me një shtypje të të drejtave themelore.
Sipas Kushtetueses, për të kufizuar lirinë e njerëzve, gjë të cilën e ka bërë vitin e kaluar, shteti do të duhej të shpallte gjendjen e përjashtimit, në vend të gjendjes emergjente.
Vendimi i Gjykatës ka ardhur si përgjigje ndaj padisë që kishte bërë partia politike e ekstremit të djathtë, Vox.