Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kush është “Mysafiri”: Njeriu që fshihet prapa sulmeve të Hamasit

Zëri në regjistrim ishte i qetë dhe preciz, po jepej një mesazh tmerri. “Në dritën e krimeve të vazhdueshme kundër popullit tonë, në dritën e orgjisë së okupimit dhe mohimit të ligjeve dhe rezolutave ndërkombëtare dhe në dritën e mbështetjes amerikane dhe perëndimore, kemi vendosur t’i japim fund gjithë kësaj”, kishte thënë folësi, i filmuar në hije, në mënyrë që armiku ta kuptojë se më nuk mundet të ikë pa u mbajtur përgjegjës.

Zëri i dëgjuar në audion e regjistruar, të publikuar disa orë pas sulmit të së shtunës në Izrael, supozohet se i përket Mohammed Deifit, komandantit të krahut ushtarak të grupit militant palestinez, Hamas dhe organizatorit të agresionit ndaj Izraelit. Bastisja masive në orët e hershme të së shtunës ka lënë të vdekur të paktën 700 njerëz në Izrael e më shumë se 2 mijë të tjerë të lënduar e të kapur nga grupi i Hamasit.

Fushata e dhjetëvjeçare e Deifit kundër izraelitëve kaloi në një nivel të ri të paparashikuar dhe të dhunshëm. Kur mesazhi i tij po transmetohej tashmë qindra luftëtarë të Hamasit po thyenin murin kufitar midis Rripit të Gazës të bllokuar dhe territorit izraelit, me mijëra raketa që po mbulonin gjithë Izraelin jugor. Brenda pak kohe Hamasi kishte shënuar sulmin e parë të pashembullt kundër Izraelit, ku mori dhjetëra pengje në enklavën e tij bregdetare. Në kanalet e mediave ndërkohë jepeshin pamje që shfaqnin militantët e Hamasit, ushtarët e vdekur e izraelitët e tmerruar nga frika.

Operacioni më i madh

Për Deifin që mban nofkën “Mysafiri”, merret si referencë ndaj praktikës së luftëtarëve palestinezë që kalojnë çdo natë në shtëpinë e një simpatizuesi të ndryshëm për ta shmangur inteligjencën izraelite, sulmi i tanishëm ishte më i guximshmi dhe më vdekjeprurësi deri më tani. I ndjekur nga Izraeli për dekada, gati të vdiste nga një sulm ajror 20 vjet më parë që thuhet se e la atë në karrocë pasi humbi një krah dhe një këmbë. Aftësia e Deifit për ta mposhtur ushtrinë izraelite teksa vriste ushtarë e civilë pa dallim, i ka dhënë atij nderimin e militantëve palestinezë. Me ushtrinë izraelite në dukje të pavetëdijshme, Deif është katapultuar në nivelet më të larta të udhëheqjes palestineze, duke eklipsuar rivalët e tij në Fatah, fraksioni më i moderuar i favorizuar nga perëndimi dhe homologët e tij në Hamas, të konsideruar si një grup terrorist nga SHBA-ja, BE-ja dhe Izraeli. “Edhe para kësaj, Deif ishte si një personalitet i shenjtë dhe shumë i respektuar si brenda Hamasit ashtu edhe nga palestinezët”, ka theksuar Mkhaimar Abusada, profesor i politikës në Universitetin Al-Azhar në Gaza.

Edhe Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë Botë Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë

Operacioni i tij më i madh kundër Izraelit do ta kthejë atë tani në figurë, “si perëndi për të rinjtë”, ka shtuar ai. Faktori më i rëndësishëm për Hamasin është numri i madh i pengjeve që u futën në Gaza. Izraeli ka dorëzuar 1 mijë të burgosur palestinezë për ta liruar një ushtar të vetëm, Gilad Shalit, pas pesë vitesh robëri nga Hamasi në vitin 2011. “Hamasi e kupton shumë mirë se kur bëhet fjalë për mbajtjen e të burgosurve izraelitë, durimi është gjithçka që u duhet”, ka thënë një diplomat rajonal që ka ndihmuar në negociatat për lirimin e Shalit. “Me kalimin e kohës, publiku izraelit do të krijojë presion. Krejt çka Hamasi duhet të bëjë, është të presë”. Në intervista, analistët izraelitë, përfshirë persona që e njihnin Deifin përpara se ai të përfshihej në hijet e militantizmit palestinez, e përshkruanin si njeri të qetë dhe të painteresuar për rivalitetet e brendshme të fraksioneve palestineze.

Qëllimet e Deifit

Palestinezët thonë se ishte njeriu që i vetëm mendoi për të ndryshuar natyrën e konfliktit mes Izraelit dhe arabëve, dhe duke përdorur dhunën bëri përpjekje ta arrinte këtë. “Duhet të luftoni izraelitët brenda Izraelit dhe t’ua shkatërroni fantazinë se mund të jenë të sigurt në tokën e pushtuar”, ka thënë një luftëtar palestinez që ishte takuar me Deifin në fillim të viteve 2000.

Ata përshkruan gjithashtu si një njeri, aftësia e të cilit për të evoluar vazhdimisht së bashku me arritjet teknologjike të ushtrisë izraelite u ilustrua gjatë luftës së egër 11-ditore midis grupit militant palestinez dhe Izraelit në vitin 2021. Hamasi lëshoi një mori raketash të teknologjisë së ulët në përpjekje për ta pushtuar sistemin ajror të Izraelit, i cili gati sa nuk kishte municione përpara se të ndërmjetësohej një armëpushim. Ashtu si me të tjerët në Hamas, Deif i sheh Marrëveshjet e Oslos, të cilat në fund të viteve 1990 mbajtën shkurtimisht premtimin e një marrëveshjeje paqeje të negociuar, si një tradhti të rezistencës së tij dhe qëllimit fillestar për të zëvendësuar Izraelin me një shtet palestinez. “Deif është përpjekur të fillojë luftën e dytë të pavarësisë izraelite”, ka theksuar Eyal Rosen, kolonel në rezervat e ushtrisë izraelite, i cili në një rol të mëparshëm u fokusua në Rripin e Gazës. “Qëllimi kryesor është – me hapa – të shkatërrohet Izraeli. Ky është një nga hapat e parë – ky është vetëm fillimi”. Deif, dikur prodhues i bombave dhe arkitekti i një programi dhjetëvjeçar për të gërmuar një rrjet tunelesh nën Gaza, lindi si Mohammed Diab Ibrahim al-Masri në kampin e refugjatëve Khan Younis gjatë viteve 1960, sipas një zyrtari izraelit të njohur. Gaza në atë kohë ishte nën kontrollin egjiptian dhe zyrtari izraelit i njohur me dosjen e tij në shërbimin e inteligjencës Shin Bet ka treguar se xhaxhai ose babai i tij kishin marrë pjesë në sulmet sporadike të viteve 1950 nga palestinezë të armatosur në të njëjtën zonë të tokës që luftëtarët e Deifit depërtuan të shtunën. Aq pak dihet për të sa edhe emri i tij është mister. Njerëzit që e njihnin në vitet 1980 thonë se edhe atëherë quhej Deif, ndërsa të tjerë thanë se e njihnin me emrin e tij të lindjes. Vetëm një fotografi e tij e zymtë ekziston në domenin publik.

Jeta e “Mysafirit”

Edhe Mbi 400 palestinezë të vrarë nga Izraeli Botë Mbi 400 palestinezë të vrarë nga Izraeli

Shija e tij për teatrin u përmirësua në një trupë aktrimi ku ai iu bashkua teksa ishte në Universitetin Islamik të Gazës, vatër e degës egjiptiane të stilit të islamit politik të Vëllazërisë Myslimane. Në kohën kur Hamasi u krijua në fund të viteve 1980, nën zjarrin e intifadës së parë kundër pushtimit të Izraelit, Deif ishte në të 20-at. Rreth asaj kohe, Ghazi Hamad, tani anëtar i Byrosë Politike të Hamasit, ndau qelinë e burgut me Deifin pasi u burgosën nga izraelitët. “Që nga fillimi i jetës së tij në Hamas, ai ishte i fokusuar në rrugën ushtarake”, ka rrëfyer Hamad. “Ai ishte shumë i sjellshëm”, kujtoi ai, “gjatë gjithë kohës një patriot që bënte karikatura të vogla për të na bërë të qeshnim”. Çdo aluzion mirësie do të zbehej shpejt, pasi Hamasi kreu bomba vetëvrasëse për të dënuar Marrëveshjet e Oslos. Izraeli e konsideron Deifin përgjegjës për vdekjen e dhjetëra njerëzve në bomba vetëvrasëse, duke përfshirë valën në vitin 1996 që vrau më shumë se 50 civilë. Deif thuhet se ka studiuar në Yahya Ayyash, prodhues bombash me pseudonimin “Inxhinier” i cili u vra nga Izraeli në vitin 1996 me një telefon celular të mbushur me eksploziv. Deif u ngrit në radhët e Brigadave Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, dhe zyrtari izraelit ka treguar se ai ishte i përfshirë në krijimin e raketave të para elementare. Arsenali i Hamasit tani është në dhjetëra mijëra dhe ata qëlluan 3.500 vetëm të shtunën.

Zyrtari izraelit ka bërë të ditur se Deif kërkonte objektiva me ndikim të lartë, si kolonët dhe ushtarët në territoret e pushtuara, autobusët në Jerusalem dhe Tel-Aviv. Ai gjithashtu mbikëqyri breshëritë e raketave që dërgojnë izraelitët në strehimoret e bombave në intervale të rregullta.

Brenda Hamasit, zyrtarët thonë, Deifi ishte kundërshtar i vallëzimit të komplikuar nëse Hamasi do të pajtohej të ndalte luftimet që herë pas here nxitën reagimin e Izraelit duke lejuar fondet në rripin e bllokuar ose më shumë leje të punës për palestinezët e Gazës.

Gjersa kjo marrëveshje ndihmoi në menaxhimin e cikleve të dhunës, ajo gjithashtu ka çuar në katër luftëra në vitet 2009, 2011, 2014, 2021 dhe më pas këtë të fundit, të gjitha këto, militantët i portretizuan si fitore. “Ky veprim terrorist e ka përfunduar këtë praktikë përgjithmonë”, ka theksuar zyrtari izraelit i sulmit të së shtunës. “Tani nuk do të ketë armëpushim, vetëm hakmarrje”. Kjo me sa duket është pikërisht ajo që Deifi ka dashur gjithmonë.

Edhe Kolumne Gjysma e dytë e munguar e fjalisë në Gaza

Përktheu: Blerta Haxhiu