Botë

Kukullat që bënë krenare gratë indigjene

“Është si pasqyrë”, u shpreh vajza, Atyna Pora, e cila tani punon me nënën e saj. “Përmes kukullës, ne e shohim veten dhe duhet ta thyejmë tabunë që qëndron pas saj, sepse gjithmonë kemi qenë shumë të diskriminuara”

“Më parë ekzistonin vetëm kukulla të bardha, më pas erdhën ato të zezat, mirëpo indigjene nuk u shfaqën asnjëherë”, ka treguar Anambe, 53 vjeç, e veshur me gjerdan me rruaza e me shami me pupla delikate portokalli. “Kur gratë indigjene shohin kukulla, ndonjëherë edhe qajnë”

Luakam Anambe dëshironte që mbesa e saj e porsalindur të kishte një kukull – diçka që ajo nuk e kishte pasur kurrë si fëmijë derisa punonte në kushtet e ngjashme me skllevër në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil. Mirëpo, ajo donte që kukulla t’i kishte tiparet indigjene, e në dyqane nuk kishte asgjë të tillë. Kështu, ajo e qepi një vetë.

Kukulla kishte lëkurë kafe, flokë të gjatë të errët dhe të njëjtën bojë për trupin e fytyrën që përdorej nga populli anambe. Kjo i mahniste kalimtarët; derisa kukullat indigjene mund të gjenden kudo në Amerikën Latine, ato mbeten kryesisht në mungesë në Brazil, vendi i afro 900 mijë njerëzve që identifikohen si indigjenë në regjistrimin e fundit.

Kalimi në biznes

Një ide biznesi lindi, e shtëpia e saj modeste tani u shndërrua edhe në punishte ku ajo bashkë me vajzën e saj prodhojnë kukulla për klientelën në rritje.

“Më parë ekzistonin vetëm kukulla të bardha, më pas erdhën ato të zezat, mirëpo indigjene nuk u shfaqën asnjëherë”, ka treguar Anambe, 53 vjeç, e veshur me gjerdan me rruaza e me shami me pupla delikate portokalli. “Kur gratë indigjene shohin kukulla, ndonjëherë edhe qajnë”.

Që nga viti 2013, Anambe ka shitur më shumë se 5 mijë kukulla në panairet lokale dhe përmes mediave sociale, duke i postuar ato në të gjithë vendin, kurse tani po mbledh fonde për të marrë pjesë në një panair gjerman me synimin që kukullat të eksportohen edhe në Evropë. Biznesi i saj në lulëzim në Rio de Zhanerio është botë e larguar nga shteti amazonian Para, ku jeta e saj filloi me shumë vështirësi.

Luakam Anambe ishte njëra nga 15 fëmijët dhe prindërit e dërguan atë dhe dy motrat të jetojnë e punojnë në një plantacion. Kur ishte vetëm 7 vjeçe, iu dha detyra të kujdesej për foshnjën e pronarit të plantacionit. E mban mend se si u qortua kur i kishte kërkuar gruas së pronarit një kukull. “Ajo duhet të punojë e jo të luajë”, i kujton Anambe fjalët që i kishte dëgjuar dikur. Madje, gruaja as që ndjeu dhembshuri kur Anambe i kishte treguar se ishte abuzuar seksualisht. Kurrë nuk mori asnjë pagesë, e ankesat shpesh përfundonin me vogëlushen e mbyllur në depon e duhanit, në errësirë, e vetme.

Image
Kukullat që përfaqësojnë imazhe të ndryshme indigjene ekspozohen në një dyqan në Rio de Zhaneiro

Lufta për mbijetesë

Anambe ka bërë të ditur se ishte vetëm 15 vjeç kur pronari i plantacionit e detyroi të martohej me mikun e tij, një burrë dy dekada më i vjetër se ajo, me të cilin kishte një vajzë. Anambe shpejt u nda nga bashkëshorti i dhunshëm, duke e lënë fëmijën me familjen.

“Jemi luftëtarë në luftën për mbijetesë”, ka theksuar ajo, duke iu referuar njerëzve indigjenë që po përballen vazhdimisht me rrezikun nga grabitësit e tokës në Amazon, sharrëxhinjtë, fermerët dhe minatorët. Para kolonizimit, “kishte miliona indigjenë në Brazil. Sot ka shumë më pak. Çdo ditë që kalon, ka gjithnjë e më pak.

Anambe ka punuar me vite si pastruese në Belem, kryeqyteti i shtetit Para. Mirëpo, ndjeu sikur jeta kishte diçka më shumë për të dhe se duhej të kërkonte mundësi në një nga qytetet më të mëdha të Brazilit. Ajo bëri një udhëtim tetëditor në Rio me një kamionist që udhëtonte në distanca të gjata dhe për Anambenë, ishte dhuratë nga perëndia, sidomos për faktin që ai nuk abuzoi me të.

Tiparet e saj indigjene u vunë re shpejt në Rio, kështu filluan paragjykimet. Më në fund, ajo gjeti punë në një fabrikë për rroba banjë dhe tash kishte mundësi të ruante para për vajzën e saj. Pak nga pak, kursyen mjaftueshëm sa për t’u zhvendosur nga baraka e tyre njëdhomëshe në një shtëpi të vogël, ku ajo nisi të qepte rroba për disa marka të modës Rio. Me aftësitë që kishte në makinën e saj qepëse, ajo bëri kukullën e saj të parë.

“Është si pasqyrë”, u shpreh vajza, Atyna Pora, e cila tani punon me nënën e saj. “Përmes kukullës, ne e shohim veten dhe duhet ta thyejmë tabunë që qëndron pas saj, sepse gjithmonë kemi qenë shumë të diskriminuara”.

Image
Luakam Anambe dëshironte që mbesa e saj e porsalindur të kishte një kukull – diçka që ajo nuk e kishte pasur kurrë si fëmijë derisa punonte në kushtet e ngjashme me skllevër në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil

Ndarja e parave për bamirësi

Anambe dhe Pora e kanë zgjeruar biznesin e tyre duke përfshirë kukulla që mbajnë bojëra për fytyrën dhe trupin e pesë grupeve të tjera indigjene. Secila është e punuar me dorë, e veshur me rroba tradicionale dhe e lyer me kujdes me një degë të mprehur nga një pemë në oborrin e shtëpisë së tyre, sipas zakonit indigjen.

Teksa ishin të parat që arritën audiencë të gjerë duke përdorur mediat sociale, shumë të tjerë kanë ndjekur hapat e tyre.

Dizajnerja indigjene e modës We’e’ena Tikuna, e lindur gjithashtu në pyjet tropikale të Amazonës dhe tani me bazë në Rio, filloi të bënte kukulla indigjene për t’i veshur ato në krijimet e saj.

“E admiroj punën e Anambesë, dhe grave të tjera indigjene”, ka thënë Tikuna për Anambenë. “Kemi nevojë për atë përfaqësim indigjen”.

Anambe e quajti kukullën e saj të parë pas vajzës së Atynas, Anaty, e cila u bë emri i kompanisë së saj. Dhe 20% e të ardhurave shkojnë për organizatën jofitimprurëse, Maria Vicentina, e quajtur për nënën dhe gjyshen e saj. Me bazë në Para, ajo do të ofrojë trajnime rrobaqepëse për gratë, duke e rritur operacionin e kukullave Anaty, e duke i ndihmuar ato në sigurimin e pavarësisë financiare.

“Kur u largova nga Para, nuk u largova vetëm për veten time. Shkova edhe për gratë e tjera”, ka shpjeguar Anambe. “Anaty erdhi për të na dhënë këtë fuqi neve, grave indigjene”.

Përktheu: Blerta Haxhiu