Algjerinë gati e hëngrën çlirimtarët e saj. E shpëtoi populli, sepse atdheun e vet e deshi shumë, por dhe e lau me gjak gjatë shumë luftërave çlirimtare, veçmas në dy shekujt e fundit kundër otomanëve dhe kolonizatorëve francezë.
Këtë pranverë, presidentit “metuzalem” Buteflika, asaj kufome të gjallë, që vetëm po frymonte gjatë shtatë vjetëve të fundit, pas sulmeve cerebrale dhe rrethit të tij të korruptuar, ai popull i tha: “Mjaft më...”, shkruan sot “Koha Ditore”. Çka do të bëhet më vonë, do të shohim pas zgjedhjeve presidenciale, të cilat po shtyhen, sepse ende vendin e sundon kasta e gjeneralëve nga pavarësia e vitit 1962 dhe pasardhësve të tyre.
Ata tani po premtojnë “transicion të qetë” dhe “demokraci të vërtetë”, por populli nuk po “kthehet në shtëpi”. Gjenerali 79-vjeçar, Ahmed Gaid Saleh, shef i shtatmadhorisë që po luan rolin e garantit për kalim paqësor në demokraci, është vetë frenuesi i ndryshimeve.
Gjenerata ime jemi rritur me Algjerinë në buzë dhe zemër. E kishim njohur vetëm nga lajmet dhe filmi “Gjamila”, ajo heroina e re që u bënte ballë torturave të kolonizatorëve francezë gjatë luftës çlirimtare (1954 – 1962) dhe nuk i zbulonte shokët.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)