Trafikimi i drogës dhe përdorimi i tij në gjithë Bashkimin Evropian po rikthehet në nivelet para-pandemike, bazuar në raportin më të fundit të publikuar nga agjencia e bllokut për drogën, të martën.
Përderisa kufizimet e COVID-19 dhe kontrollet e rritura të kufijve janë relaksuar në kontinent, EMCDDA (Qendra Evropiane e Monitorimit dhe Varësinë nga Drogat) tha se drogat janë të qasshme në masë të madhe në rajon dhe në disa raste mbi nivelet para-pandemike.
Qindra laboratorë të prodhimit të drogës po zbulohen dhe substanca të reja psikoaktive po shfaqen në bllok çdo javë. Në vitin 2021, 52 droga të reja janë raportuar për herë të parë, tha agjencia.
“Për mua, mesazhi kryesor që del nga analiza jonë mbi trendin e drogës në vitin 2022 mund të përmblidhet si ‘Kudo. Gjithçka. Të gjithë’”, tha drejtuesi i agjencisë, Alex Goosdeel.
Rreth 83.4 milionë njerëz të moshës 15-64 vjeçare në Evropë, ose 29% e kësaj popullate, janë vlerësuar të kenë përdorur së paku njëherë një drogë të paligjshme, me më shumë burra sesa gra që kanë raportuar përdorimin.
Agjencia tha se kanabisi mbetet substanca më popullore, me mbi 22 milionë njerëz që kanë raportuar përdorimin e tij në vitin 2021, pasuar nga kokaina, ekstazia dhe amfetamina. Rreth 1 milionë evropianë kanë përdorur heroinën ose ndonjë opioid të paligjshëm. Rreth 5800 vdekje të vlerësuara nga mbidoza kanë ndodhur në Evropë në vitin 2020, viti më i fundit për të cilin është dhënë kjo shifër.
Raporti thekson një rritje të përdorimit të aplikacioneve të rrjeteve sociale dhe shërbimeve të mesazheve të koduara për të pasur qasje në produkte gjatë pandemisë, një model që duket se po vazhdon.
Agjencia muajin e kaluar tha se shuma rekorde të kokainës po sekuestrohen në Evropë derisa prodhimi i drogës po merr hov brenda Evropës.
Përderisa agjencia tha se është shumë herët për të vlerësuar ndikimin në trafikun e heroinës si pasojë e kthimit në pushtet të talebanëve në Afganistan, agjencia vuri në dukje se kjo mund të çojë në një rritje.
“Problemet aktuale financiare të vendit mund t'i bëjnë të ardhurat nga droga një burim më të rëndësishëm të ardhurash”, thuhet në raport.
Raporti shqyrtoi gjithashtu luftën në Ukrainë, duke vënë në dukje se konflikti mund të ketë pasoja për rrugët e kontrabandës.
Përktheu: Forca Jashari