Kryeministrja e përkohshme e sapoemëruar e Nepalit, Sushila Karki, ka thënë se do të qëndrojë në postin e kryeministres jo më shumë se gjashtë muaj.
Duke folur për herë të parë që kur u betua në detyrë, Karki u shpreh se nuk ishte dëshira e saj për të marrë postin e kryeministres, por se u ndie e detyruar ta pranonte atë pas kërkesave të shumta nga protestuesit, shkruan BBC.
Ajo tha se detyrën do ta dorëzojë menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme në vend, të cilat do të mbahen më 5 mars.
Karki bëri betimin si kryeministre pas një marrëveshjeje me udhëheqësit e protestave nga e ashtuquajtura lëvizja "Gjenerata Z". “ Ne duhet të punojmë sipas mendimit të gjeneratës Z," shtoi ajo. "Ajo që kërkon ky grup është fundi i korrupsionit, qeverisja e mirë dhe barazia ekonomike”.
Protestat masive, të nxitura nga një ndalim i platformave të mediave sociale, filluan më 8 shtator dhe gjatë dy ditëve u shndërruan në kaos dhe dhunë gjatë të cilave shtëpitë e politikanëve u vandalizuan dhe parlamenti u dogj.
Numri i të vdekurve nga trazirat tani ka arritur në 72, përfshirë tre zyrtarë policie.
"Ndihem e turpëruar. Nëse ishin nepalezë ata që shkatërruan këto struktura thelbësore, si mund të quhen nepalezë", tha kryeministrja e përkohshme të dielën.
Karki, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, konsiderohet gjerësisht në Nepal si person me një imazh të pastër.