Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Arrestohet ish-kryeministri i Nepalit për vdekjet në protestat e shtatorit

nepal

Foto: Getty

Ish-kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, është arrestuar të shtunën në mëngjes për vdekjen e dhjetëra njerëzve gjatë protestave të dhunshme në shtator që rrëzuan qeverinë dhe rezultuan në zgjedhje të reja.

Autoritetet arrestuan udhëheqësin e fuqishëm komunist në rezidencën e tij në periferi të kryeqytetit Katmandu. Ata arrestuan gjithashtu ish-ministrin e brendshëm, Ramesh Lekhak, i cili është akuzuar se ka urdhëruar autoritetet të qëllojnë mbi protestuesit.

Ministri i Brendshëm Sudan Gurung njoftoi arrestimet në mediat sociale.

"Askush nuk është mbi ligjin. Ne kemi marrë nën kontroll ish-kryeministrin KP Sharma Oli dhe ish-ministrin e brendshëm Ramesh Lekhak," tha Gurung. "Kjo nuk është hakmarrje kundër askujt, është vetëm fillimi i drejtësisë."

Një hetim nga një komision i ngritur nga qeveria kërkoi dënim deri në 10 vjet burg për Oli, Lekhak dhe shefin e policisë në kohën e protestave.

Arrestimet vijnë një ditë pasi qeveria e re e kryesuar nga ish-reperi Balendra Shah mori detyrën pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet parlamentare në fillim të këtij muaji nga partia e tij, Rastriya Swatantra.
Shah dhe Gurung kanë premtuar drejtësi për të vrarët dhe të plagosurit.

Edhe Nepali bëhet për herë të parë me kryeministre Botë 10 muaj më parë Nepali bëhet për herë të parë me kryeministre

Zgjedhjet ishin të parat në vend që nga protestat e udhëhequra nga të rinjtë kundër korrupsionit dhe qeverisjes së dobët më 8 dhe 9 shtator që lanë 76 të vdekur dhe më shumë se 2,300 të plagosur.

Turma të zemëruara dogjën zyrat e kryeministrit dhe presidentit, stacionet e policisë dhe shtëpitë e politikanëve të lartë që u detyruan të iknin me helikopterë ushtarakë.

Demonstratat e nxitura nga aktivistët e "Gjeneratës Z" detyruan Olin të jep dorëheqje dhe emërimin e kryeministres së parë femër të Nepalit, Sushila Karki, një gjyqtare e pensionuar e Gjykatës Supreme që shërbeu gjatë tranzicionit që çoi në zgjedhje.