Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka thënë se aeroplanët luftarakë turq i ishin vënë pas helikopterit të tij, teksa ai po shkonte të hënën për vizitë në një ishull grek, për ta shënuar përvjetorin e kryengritjes së 1821-s kundër sundimit osman, akuza këto që janë mohuar nga Turqia.
“Ata e detyruan helikopterin, brenda të cilit ndodhesha, ta ulte lartësinë dhe kjo vazhdoi deri kur aeroplanët grekë iu dolën përpara forcave që po e cenonin hapësirën tonë ajrore”, ka thënë Tsipras gjatë një fjalimi në ishullin Agathonisi, disa milje larg bregdetit turk në Mesdhe.
“Porosia që dua ta dërgoj është se veprimet e tilla të marrëzishme janë boshe për kah kuptimi. Ne gjithnjë do të jemi këtu për ta mbrojtur integritetin tonë shtetëror”, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Një zyrtar ushtarak grek i ka thënë “Reutersit” se aeroplanët luftarakë grekë kishin zmbrapsur aeroplanët turq, vetëm disa kilometra larg helikopterit të Tsiprasit.
Një burim turk i sigurisë ka thënë se aeroplanët turq ishin duke ndërmarrë misione rutinore.