Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka paralajmëruar të shtunën se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit do të ishte “shumë, shumë i rrezikshëm”, ka raportuar BBC.
Ai ka pretenduar, ndonëse nuk ka ofruar prova konkrete, se “SHBA-ja ka qenë e përfshirë në agresionin e Izraelit që nga dita e parë”.
Krahas kësaj, Araghchi ka shtuar se vendi i tij “nuk mund të vazhdojë negociatat me SHBA-në, përderisa populli iranian bombardohet”, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë për “zgjidhje të negociuar rreth programit bërthamor”.
“Diplomacia ka funksionuar në të kaluarën dhe mund të funksionojë përsëri në të ardhmen. Në mënyrë që ne t’i kthehemi përsëri rrugës diplomatike, agresioni duhet të ndalet”, ka thënë Aragchi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, veçse i ka aprovuar planet për të sulmuar Iranin më herët gjatë javës, porse i ka dhënë afat dyjavor udhëheqësisë së Republikës Islamike që ta braktisë zhvillimin e programit bërthamor.
Luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e nëntë. Izraeli po synon t’i shkatërrojë potencialin bërthamor Iranit.
