Me një qëndrim sfidues, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq i kërkoi Komisionit Europian të mos përzihet në mosmarrëveshjet kufitare të Zagrebit me Slloveninë, sepse nuk ka kompetencë në çështje të tilla.
Të martën, Komisioni i kërkoi të dy vendeve anëtare të bllokut të vënë në jetë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit që i jep Lubjanës akses në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve kroate.
Por, Kroacia nuk pranon t’i bindet një vendimi që, sipas saj, nuk ka forcë ligjore. Plenkoviç kujtoi se Zagrebi u tërhoq nga procesi i arbitrazhit në 2015-n sepse ishte, sipas tij, i “ndotur dhe i kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme”.
“Do të ishte mirë nëse Komisioni qëndron brenda kornizës së kompetencave të tij, sepse tek gjykimi i kufijve del paksa jashtë linjës së vetë. Ka vende të cilave u janë dashur edhe 100 vjet për të zgjidhur problemet kufitare. Tani vonë e tha ministri i Jashtëm i Belgjikës që bisedimet e kufirit me Holandën vazhdojnë prej vitesh. Megjithatë, kjo çështje nuk ka zënë vend në axhendën e Komisionit Europian”, deklaroi Plenkoviq.
Të dyja ish-republikat jugosllave që pavarësinë e siguruan në vitin 1991, kërkojnë një rrip të ngushtë ujor në veri të Gjirit të Piranit.
Sllovenia, me një vijë bregdetare prej vetëm 46 km pretendon se aksesi i saj në ujëra ndërkombëtare rrezikohet sepse Kroacia, me brigje që shtrihen për 1.700 km, këmbëngul që kufiri detar të kalojë në mes të gjirit.
Edhe
Kontesti ndërkufitar, Sllovenia bën gati padi kundër Kroacisë
Vendimi i gjykatës me seli në Hagë është që problemet të zgjidhen sipas regjistrave të vjetër kadastralë e i lejon Lubjanës krijimin e një korridori detar 16 km të gjatë, i cili t’i sigurojë daljen në detin Adriatik, por nuk është e qartë sesi do të arrijë të implementohet në realitet.
Pretendimi i Kroacisë se procesi i arbitrazhit është njollosur u ngrit pasi në 2015-n u mësua se një zyrtar slloven e kishte diskutuar çështjen me një anëtar të komisionit të arbitrazhit.
Lubjana nuk i mohon akuzat, megjithatë sërish këmbëngul që Zagrebi t’i qëndrojë kushteve të marrëveshjes.