Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Krizë për qumësht dhe pelena për fëmijë në Gaza

Ndihma nuk po arrin te të gjithë palestinezët dhe mungesa e mallit bazë ka bërë që çmimet të shkojnë në qiell. Me ekonomi të shkatërruar, pak palestinezë kanë të ardhura të rregullta dhe shumicës janë ose duke u shteruar kursimet ose po jetojnë me fonde.

(AP News) - Zainab al-Zeini u detyrua të merrte një vendim të dëshpëruar: Të ushqejë foshnjën e saj me ushqim të ngurtë, të cilin trupi i saj i vogël mund të mos jetë në gjendje ta tretë ose ta shikojë atë të uritur për shkak të mungesës së qumështit për foshnja në Rripin e Gazës i cili është i rrethuar, ka raportuar Associated Press.

Al-Zeini zgjodhi t'i jepte Lindës 2-muajshe, ushqime të ngurta, duke e ditur se kjo mund t’i krijonte probleme shëndetësore.

“E di që është e dëmshme, por nuk ka asgjë tjetër për t’i dhënë”, ka thënë al-Zeini, derisa ushqen vajzën e saj që qan pa pushim me biskota të shtypura në tendën e ftohtë që ata tani e quajnë shtëpi. “Ajo qan dhe qan vazhdimisht”.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit të Gazës ka shkaktuar katastrofë humanitare dhe ka bërë të ketë mungesa të nevojave elementare. Më të prekurit nga kjo janë foshnjat, fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre, me pelena dhe qumësht për fëmijë, ose të vështira për t'u gjetur ose me çmime të papërballueshme, duke detyruar prindërit të përdorin alternativa të papërshtatshme apo të pasigurta.

Gjendja e tyre është ndërlikuar më shumë për shkak se dërgimi i ndihmave është penguar nga kufizimet izraelite dhe luftimet e pamëshirshme.

Edhe Fëmijët asht e lëkurë i mbushin spitalet, teksa kriza e urisë e kaplon Gazën Botë Fëmijët asht e lëkurë i mbushin spitalet, teksa kriza e urisë e kaplon Gazën

Palestinezët e zhvendosur po grumbullohen në zona gjithnjë e më të ngushta të enklavës bregdetare, duke shkaktuar shpërthime sëmundjesh, ndaj të cilave fëmijët e kequshqyer janë të pambrojtur. OKB-ja thotë se popullsia është duke u rrezikuar nga uria, me një të katërtën e njerëzve tashmë të uritur.

Për palestinezët që po durojnë kushte gjithnjë e më të vështira, nevojat bazike – si ndërrimi i pelenës së fëmijës – janë bërë luks.

“Unë kam shitur ushqimin e fëmijëve të mi që të mund të blej pelena”, ka thënë Raafat Abu Wardehi, i cili ka dy fëmijë të vegjël.

Ndihma nuk po arrin te të gjithë palestinezët dhe mungesa e mallit bazë ka bërë që çmimet të shkojnë në qiell. Me ekonomi të shkatërruar, pak palestinezë kanë të ardhura të rregullta dhe shumicës janë ose duke u shteruar kursimet ose po jetojnë me fonde.

Në stendat e improvizuara në rrugë, fëmijët që po punojnë si shitës, shesin pelena individuale për tre deri në pesë shekela (1 deri në 1,50 dollarë), valutë e Izraelit, ose një pako të plotë deri në 170 shekela (46 dollarë). Një pako me pelena para luftës kushtonte 12 shekela (3,50 dollarë).

“Çmimet e pelenave janë absurde”, ka thënë Anis al-Zeini, i cili po blinte pelena përgjatë një rruge në qendër të Deir al-Balahit. “Për një fëmijë shpenzojmë 20 shekela (5 dollarë) në ditë. Në këtë situatë të rëndë, të gjitha çmimet janë të larta dhe nuk ka të ardhura për njerëzit. Nuk ka as ndihma”, shtoi al-Zeini.

Disa prindër janë duke përdorur pelena nga shtofi, por që kërkojnë të lahen me ujë, i cili është gjithashtu i pakët.

Lufta, e shkaktuar nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, ka shkaktuar shkatërrim të paimagjinueshëm, me më shumë se 27,000 palestinezë të vrarë dhe afër 67,000 të plagosur në ofensivën e Izraelit, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi nuk bën dallim në numërimin e civilëve dhe luftëtarëve, por ka thënë se dy të tretat e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Izraeli fajëson Hamasin për numrin e lartë të vdekjeve, sepse sipas tyre, grupi kryen sulme dhe aktivitete militante në zonat e banuara.

Sulmi i Hamasit vrau rreth 1200 njerëz në Izrael, shumica prej tyre civilë derisa rreth 250 njerëz u morën peng.

Mungesa e pelenave ka shtuar kushte të këqija sanitare për rreth 1.7 milionë palestinezë të zhvendosur, shumë prej të cilëve janë të grumbulluar në strehimore të mbipopulluara.

Edhe Vdekje, zhvendosje dhe detyra ushtarake: fëmijët në krizë nga lufta në Lindjen e Mesme Botë Vdekje, zhvendosje dhe detyra ushtarake: fëmijët në krizë nga lufta në Lindjen e Mesme

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF, ka thënë këtë javë se shumica e të zhvendosurve rishtas kanë vetëm 1-2 litra ujë në ditë për të pirë, gatuar dhe larë.

UNICEF-i thotë se dërgesat e ndihmave në Gazë nuk po i plotësojnë nevojat e palestinezëve.

Agjencia vlerëson se 20,000 foshnja deri në 6-muajshe kanë nevojë për qumësht, të cilën UNICEF-i e ka ofruar së bashku me gjërat e nevojshme që kanë përfshirë pelena dhe para.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e mëdha të fëmijëve në Gazë”, ka thënë Ammar Ammari, zëdhënës i UNICEF-it.

“Nevojat e foshnjave janë pjesë e kërcënimit të gjithë 335,000 fëmijëve në Gazë të moshës deri 5-vjeçare, të cilët janë në rrezik të lartë të kequshqyerjes së rëndë dhe vdekjes së parandalueshme,” ka thënë UNICEF-i.

“Për shumë familje në Gazë, kërcënimi i vdekjes nga uria është tashmë real,” ka thënë Ammari.

Zyra humanitare e OKB-së ka thënë të mërkurën se ekzaminimet e fundit tregojnë që gati 10% e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare vuajnë nga kequshqyerja akute, rritje e 12-fishuar në krahasim me shifrat e para luftës. Shkalla është edhe më e lartë në Gazën veriore, së cilës i janë ndërprerë ndihmat tashmë, për muaj të tërë.

Për Zainab al-Zeinin, zgjedhja për të ushqyer foshnjën e saj tani 4-muajshe me biskota të grimcuara dhe oriz të bluar në vend të formulës ka rezultuar me shkuarje të shpeshta në spitalin lokal, i cili njëjtë si sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është nën tendosje të thellë nga lufta.

Ofruesit e kujdesit shëndetësor zakonisht rekomandojnë që prindërit të presin derisa fëmija i tyre të jetë 6-muajsh para se t'i ushqejnë me ushqime të ngurta. Hulumtimet kanë zbuluar se foshnjave që u jepet ushqim i ngurtë shumë herët, janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve kronike.

Teksa tundej në luhatëse e mbështjellë në batanije, Linda qante pa pushim ndërsa nëna e saj përpiqej ta ushqente.

Edhe Palestinezët e Gazës s’gjejnë paqe, sërish në ankth për rezerva ushqimore Botë Palestinezët e Gazës s’gjejnë paqe, sërish në ankth për rezerva ushqimore

“Ky dihet, natyrisht, si ushqim jo i shëndetshëm dhe e dimë se i shkakton shqetësime në zorrë, fryrje dhe dhimbje barku”, ka thënë al-Zeini për ushqimin me të cilin po e ushqente. “Por çfarë të bëj?”.

Përgatiti: Latra Gashi