Botë

Fëmijët asht e lëkurë i mbushin spitalet, teksa kriza e urisë e kaplon Gazën

Gaza

Në Gazë po ndodh një krizë ekstreme humanitare, ku uria masive, e shkaktuar nga njeriu, po i rrezikon jetët e mijëra fëmijëve dhe familjeve të pafajshme. Me mungesa të rënda ushqimi, ilaçesh dhe ndihmash, spitalet janë të mbingarkuara dhe të pafuqishme. Historia e vogëlushit Mohammed dhe shumë të tjerëve pasqyron një realitet rrëqethës, ku mbijetesa është kthyer në betejë ditore. Ndihma e kufizuar dhe pengesat sistematike nga autoritetet izraelite po e përkeqësojnë situatën çdo ditë e më shumë

Krahët e dobët të Mohammedit shihen jashtë bluzës së verdhë me mbishkrimin “djali i buzëqeshur” - një ironi mizore në një spital të Gazës. Ai e kalon pjesën më të madhe të ditës duke qarë nga uria, ose duke i kafshuar gishtat e tij të dobësuar.

Shtatëmuajsh, ai peshon mezi 4 kg dhe kjo është hera e dytë që shtrohet për trajtim. Fytyra e tij është e rraskapitur, gjymtyrët janë thjesht eshtra të mbuluara me lëkurë të varur dhe brinjët e gjoksit shihen qartazi.

 “Frika ime më e madhe tani është se do ta humbas nipin për shkak të kequshqyerjes”, thotë gjyshja e tij, Faiza Abdul Rahman, e cila vetë ndihet vazhdimisht e përgjumur nga mungesa e ushqimit. Dje, e vetmja gjë që e kishte ngrënë, ishte një copë buke që kushtonte 15 shekelë (rreth 3 paund).

“Edhe vëllezërit e motrat e tij vuajnë nga uria e madhe. Ka ditë kur shkojnë në gjumë pa e futur asnjë kafshatë në gojë”.

Mohammed ka lindur i shëndetshëm, por nëna e tij ishte tepër e kequshqyer për të prodhuar qumësht gjiri, dhe familja ka mundur të sigurojë vetëm dy kanaçe me formulë për foshnja që atëherë.

Reparti në Spitalin e Shoqatës Bamirëse “Miqtë e Pacientëve” është i mbushur me fëmijë të tjerë të rraskapitur, disa prej të cilëve e ndajnë të njëjtin shtrat. Aktualisht janë vetëm dy ekipe pediatrike funksionale në qytetin e Gazës, dhe deri në 200 fëmijë paraqiten çdo ditë për trajtim.

Dr. Musab Farwana e kalon ditën duke u përpjekur, shpesh pa sukses, për t’i shpëtuar. Pastaj kthehet në shtëpi për të ndarë me familjen e tij vakte tepër të vogla. Edhe fëmijët e tij janë të uritur dhe po humbasin në peshë. Rroga e tij mezi mjafton për të blerë diçka dhe ai nuk guxon të rrezikojë për të marrë ndihma nga Fondacioni Humanitar i Gazës, pasi një koleg mjek, Dr. Ramzi Hajaj, u vra duke tentuar të merrte ushqim në një nga pikat e shpërndarjes.

Gaza nuk ka qenë kurrë në këtë nivel të krizës së urisë, pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një krizë të tillë  në prag të shpërthimit gjatë pothuajse dy vjetëve të luftës.

Faiza Abdul Rahman, e cila ka qëndruar në qytetin e Gazës gjatë gjithë luftës, thotë se edhe në kohët më të vështira të kontrollit të ushqimit vitin e kaluar, nuk ka qenë kaq keq. “Kemi përjetuar uri më parë, por kurrë si tani”, tha ajo. “Kjo është faza më e vështirë që e kemi kaluar ndonjëherë”.

Uri e shkaktuar nga njeriu

Dëshmitë e banorëve dhe mjekëve vendas, si dhe të dhënat nga qeveria izraelite, Fondacioni Humanitar i Gazës, OKB-ja dhe organizatat humanitare, tregojnë se ushqimi është drejt përfundimit.

Raftet bosh reflektohen në çmime marramendëse, me miellin që shitet mbi 30 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut në fillim të vitit.

As paraja dhe as lidhjet me punëdhënës me ndikim nuk mund t’i mbrojnë më palestinezët. “Organizatat humanitare po i shikojnë kolegët dhe partnerët e tyre që treten nga uria para syve të tyre”, paralajmëruan mbi 100 organizata që punojnë në Gazë, përfshirë “MSF”, “Save the Children” dhe “Oxfam”, në një deklaratë të përbashkët këtë javë.

Unioni i gazetarëve të AFP-së deklaroi të hënën se për herë të parë në historinë e agjencisë, rrezikojnë ta humbasin një koleg nga uria. Të mërkurën, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se një “pjesë e madhe” e popullsisë së Gazës është duke vdekur nga uria. “Nuk e di si mund ta quash ndryshe përveçse uri masive – dhe është e shkaktuar nga njeriu”, tha ai.

Për muaj me radhë, Izraeli i ka bllokuar dërgesat e ushqimit. Sasia totale e lejuar që nga marsi ka qenë shumë më pak se minimumi i nevojshëm për t’i ushqyer 2.1 milionë banorë, të cilët tashmë janë të rraskapitur nga mungesa afatgjatë e ushqimit dhe zhvendosjet e shpeshta.

“Për gati dy vjet, fëmijët këtu kanë vuajtur nga uria. Edhe nëse disa ditë ndiheshin të ngopur, nuk mjafton të ngopesh – trupi ka nevojë për lëndët ushqyese, dhe ato mungojnë krejtësisht”, tha Farwana, pediatri.

Këto vite kequshqyerje i bëjnë fëmijët më të ekspozuar ndaj sëmundjeve të tjera, ndërsa imuniteti i tyre i ulët përkeqësohet më tej nga mungesa ekstreme e medikamenteve bazë, të cilat gjithashtu janë bllokuar nga Izraeli.

“Shpesh ndihem i shkatërruar, sepse fëmija ka nevojë për diçka shumë të thjeshtë për të mbijetuar, dhe ne thjesht nuk mund ta sigurojmë”, tha ai. Tre pacientë të kequshqyer rëndë e humbën jetën këtë javë në terapi intensive, njëra prej tyre një vajzë që mund të kishte shpëtuar, nëse mjekët do kishin pasur qasje në kalium intravenoz – një medikament bazë, sot i pamundur për t’u siguruar në Gazë.

“U përpoqëm t’ia jepnim me forma orale, por për shkak të kequshqyerjes dhe komplikimeve, trupi i saj nuk e përthithi siç duhet”.

“Këto raste më ndjekin pas, nuk më dalin nga mendja. Kjo vajzë mund të ishte kthyer në shtëpi dhe ta kishte jetuar një jetë normale. Por për shkak se një gjë e vetme mungonte, ajo nuk mbijetoi”.

“Kurthet e vdekjes”

Izraeli e vendosi një bllokadë të plotë në Gazë më 2 mars. Kur kryeministri Benjamin Netanyahu e hoqi më 19 maj, ai pretendoi se qeveria po vepronte për ta parandaluar një “krizë urie”, sepse disa nga aleatët më të fortë të vendit i kishin thënë se nuk do t’i toleronin imazhet e urisë.

Në të vërtetë, qeveria izraelite e ndryshoi vetëm strategjinë për ta zgjatur krizën e urisë, duke lejuar brenda vetëm sasi minimale ndihmash që e zvarritin përkeqësimin e situatës.

Qeveria izraelite i shpalli planet për ta kanalizuar të gjithë ndihmën përmes një organizate sekrete të mbështetur nga SHBA-ja, e cila i operon katër pika të militarizuara shpërndarjeje.

Qindra persona janë vrarë duke u përpjekur të marrin ushqim në këto pika, të cilat palestinezët i përshkruajnë si “kurthe vdekjeje”, që japin ndihma shumë më të pakta se sa nevojitet.

Deri më 22 korrik, Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) kishte operuar për 58 ditë, por ushqimi i sjellë do të mjaftonte për më pak se dy javë për të gjithë popullsinë, edhe nëse shpërndahej në mënyrë të barabartë.

Të martën, Umm Youssef al-Khalidi po përgatitej ta provonte për herë të parë fatin e saj në një nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave të GHF. Ajo i kishte shmangur për muaj të tërë, pasi fëmija më i vogël i saj është dy vjeç dhe më i madhi trembëdhjetë, ndërsa burri i saj është i paralizuar dhe në karrocë.

“Ne e kemi larguar urinë tonë me ujë”, tha ajo. “Frika për familjen time është më e madhe se frika për veten. Kam frikë se do të më ndodhë diçka, dhe do t’i lë pa asnjë njeri që të kujdeset për ta”.

Por familja e saj i kaloi katër ditë pa ngrënë javën e kaluar, dhe kur më në fund prishën “agjërimin”, tetë vetë e ndanë një qese orizi dhe dy patate që ua dha një kalimtar i panjohur.

Fëmijët ishin nxënës të shkëlqyer para luftës, gjithmonë fitonin bursa. Tani i kalojnë ditët ulur në buzë të rrugës, pranë një xhamie të bombarduar në lagjen “al-Wehda” të Gazës, ku vajzat përpiqen të shesin byzylykë.

Por sot në Gazë ka pak kërkesë për bizhuteri të lira, dhe ndonëse ndonjë kalimtar mund ta mëshirojë tufën e fëmijëve të dobët, me fytyra të ndotura dhe rroba të grisura, çmimet e marramendëse bëjnë që edhe ndihmat e vogla të mos blejnë pothuajse asgjë.

“Fëmijët e mi janë bërë asht e lëkurë”, tha Khalidi. “Edhe një përpjekje e vogël i bën të përhumbur. Ulen përsëri, duke kërkuar ushqim, dhe unë nuk kam asgjë për t’u dhënë. Nuk mund të gënjej dhe t’u them se do t’u sjell diçka, kur e di se nuk do të mundem”.

Kështu, ajo vendosi që në llogaritjen e zymtë të rreziqeve për familjen e saj, shpresa për të marrë pak ushqim më në fund peshoi më shumë se rreziku për ta humbur të vetmen të rritur që i mban të gjithë bashkë.

Telefoni i burrit të saj ishte vjedhur më herët gjatë luftës, ndaj ata nuk do ta kishin asnjë mënyrë për të komunikuar gjatë orëve të gjata që ajo do t’i kalonte duke ecur drejt qendrës së GHF-së, duke u përpjekur të merrte ushqim, dhe pastaj të kthehej në shtëpi. Familja thjesht do të duhej të priste… dhe të shpresonte.

“Nuk e kam asnjë tjetër që mund të dërgoj”, tha ajo. “Është e dhimbshme t’i shoh të vuajnë, dhe shëndeti i tyre përkeqësohet çdo ditë që kalon pa ushqim”.