Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Krimi monstruoz që u zbulua pas 11 vjetësh në Kroaci

Në tetor të vitit 2011, një pensioniste 76-vjeçare Slavojka Senishin u zhduk në rrethana të panjohura në zonën e Treshnjevka afër Zagrebit. Ajo jetonte aty dhe kishte një apartament. Pas saktësisht 11 vjetëve, misteri i zhdukjes së saj zbuloi një krim të pabesueshëm që mund të hyjë në historinë e kriminologjisë kroate, shkruan Jutarnji.

Pas një hetimi të gjatë dhe shumë kërkues, policia e Zagrebit ka bërë kallëzim për vrasjen e Slavojka Senishinit dhe kanë arrestuar personin që e konsiderojnë si vrasës të saj. Bëhet fjalë për fqinjin e saj të parë, Damir Keleminçiq 63-vjeçar, i cili menjëherë pas zhdukjes së pensionistet u vendos në banesën e saj dhe jetonte aty me familje.

Trupi i Senishinit u gjet pas 11 vjetësh në pronën e Keleminçiqit, i cili e varrosi trupin e saj pasi e vrau.

Image
Vendi ku u gjet trupi i pajetë

Pensionistja e kishte blerë apartamentin nga vrasësi i dyshuar i saj. Kontrata e shitblerjes dyshohet të jetë e falsifikuar. Pesë vjet pas zhdukjes, në vitin 2016, Keleminçiqi e regjistroi pronën në emrin e tij.

Keleminçiqi hapi një “pus të rremë”, aty ku e varrosi trupin e 76-vjeçares.

Ai akuzohet për vrasje të rëndë, e cila mund të dënohet deri në 40 vjet burg. Ai gjithashtu dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe vërtetim të përmbajtjes së pavërtetë, që i referohet kontratës së shitjes me të cilën i mori banesën Senishinit pasi e vrau.

Keleminçiqi po mbrohet në heshtje.

Fqinjët e tij janë shprehur të tronditur me rastin. Ata e konsiderojnë të dyshuarin si një person me edukatë tejet të mirë.

Aksioni i policisë zgjati tri ditë. Ata gërmuan të gjithë oborrin për ta gjetur trupin.

Artikuj të ngjashëm