Kreu i Kishës Ortodokse të Rusisë, patriarku Kirill, do të përjashtohet nga pakoja e fundit e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Ky vendim është marrë për shkak të kundërshtimit të Hungarisë, kanë thënë të enjten tre diplomatë për “Euronews”.
Brukseli zyrtar ka akuzuar patriarkun Kirill për mbështetjen e Rusisë në pushtimin e Ukrainës, duke thënë se po bën propagandë për regjimin e presidentit Vladimir Putin.
Në një predikim të mbajtur në fillim të majit, Kirill ka deklaruar se Rusia nuk e ka sulmuar askënd dhe se nuk dëshiron luftë.
"Është e mahnitshme se si një vend i madh dhe i fuqishëm nuk e ka sulmuar kurrë askënd, po mbron vetëm kufijtë e tij”, ka thënë ai.
Hungaria vazhdimisht është shprehur kundër futjes së patriarkut në listën së zezë, duke e quajtur deklaratën e tij si çështje të lirisë fetare.
Vendosja në listën e zezë përfshin ngrirjen e aseteve dhe ndalime udhëtimi.
Edhe
BE-ja do ta sanksionojë edhe kreun e Kishës Ortodokse ruse
Hungaria ka kundërshtuar edhe ndalimin e importit të naftës e gazit nga Rusia.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja ka vënë në shënjestër 1093 individë që konsiderohen se luajnë rol në minimin e sovranitetit të Ukrainës.
Paketa e gjashtë e sanksioneve do të hyjë në fuqi pasi versioni përfundimtar të jetë botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.