Botë

Kosovës i kërkohet ta shtyjë para bashkëpunimin me SHBA-në pavarësisht fituesit

Kosova - Amerika

Cilido krah politik që merr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë për katër vjetët e ardhshëm do t’i mirëmbajë raportet strategjike me Kosovën, ka thënë presidentja Vjosa Osmani të martën, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.

Sipas saj, bashkëpunimi i dëshmuar SHBA-Kosovë do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve presidenciale, ku kandidatë janë republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris.

“Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje mbi partizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjidhet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë do të jetë edhe pas kësaj date”, ka thënë Osmani.

Por gjatë katër vjetëve të Administratës Biden, e ku Harris është nënpresidente, ka munguar bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, vlerësoi hulumtuesi i politikës së jashtme në “Demokraci Plus”, Artan Abrashi.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që Kosova ta shtrijë bashkëpunimin me cilindo prej kandidatëve që i fiton zgjedhjet.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne të mos e kushtëzojmë bashkëpunimin tonë dhe lidhjen tonë me SHBA në bazë të individit, por duhet të bashkëpunojmë përtej linjave partiake. Presidenti Biden ka pasur një lidhje emocionale me Kosovën por qeveria Kurti nuk ka ditur ta shfrytëzojë atë.  Prandaj pak rëndësi ka personi që fiton zgjedhjet, me rëndësi është që ne te kemi një strategji të qartë se si do t’i qasemi administratës së re amerikane”, ka thënë Abrashi.

Ai ka përmendur arritjen e marrëveshjes së Uashingtonit nga Qeveria Hoti, momentum të cilin thotë se nuk e ka shfrytëzuar Kurti nën udhëheqjen e Bidenit. Nën drejtimin e Trumpit, Abrashi shprehet se mund të ketë sërish lëvizje të tilla në dialogun Kosovë-Serbi.

“Në mes të dy kandidatëve qoftë demokratë apo republikanë ne kemi parasysh që në fund të mandatit të presidentit Trump ka pasur një tentativë që t’i qojë proceset përpara. Prandaj ka mundësi që në se z.Trump rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, çështja e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë të shtyhet deri në fund”, ka shtuar ai.

E në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-amerikane shohin përparësi e mangësi në lidhje me Kosovën te dy nga kandidatët.

Anëtari i Bordit të kësaj Lidhjeje, Agim Aliqkaj, ka vlerësuar se bashkëpunimi me Harrisin do të mund të ishte më i lehtë për shqiptarët e Kosovës, ndonëse thotë se s’ka parë përparim sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi gjatë qeverisjes së Bidenit.

“Nëse fiton zonja Harris ne mendojmë se do të jetë më lehtë të punohet me të edhe pse administrata Biden nuk ka bërë për Kosovën dhe për çështjen e zgjidhjes së konfliktit me Serbinë sa duhet. Për arsye se ia ka lënë çështjen Evropës që ka qenë gabim shumë i madh sepse Evropa kurrë nuk mund ta zgjidhë këtë çështje kaq kapitale”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai shpreh drojë por edhe shpresë me fitoren e mundshme të Donald Trump.

“Sa i përket administratës Trump, është pak më e rrezikshme për arsye se megjithatë veprimet e tij janë më të shpejta nganjëherë të pa parapara domethënë frikësohem se presidenti Trump është pak i paparashikueshëm dhe mund të shkojë edhe keq edhe mirë. Megjithatë unë mendoj se në anën strategjike, Amerika kurrë nuk do të qojë dorë prej Kosovës”, ka deklaruar ai.

Nga këto votime do të nxirret fitues presidenti i 47-të i SHBA-së.
 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump - Kamala Harris

S’ka befasi në bastione, shtetet e papërcaktuara pritet ta vonojnë procesin