Japonia dhe Singapori dukej të ishin buze recesionit të hënën, me epideminë e koronavirusit që po ndikon tek turizmi dhe zinxhirët e furnizimit gjithandej globit. Ndërkohë, Kina ka ashpërsuar edhe më shumë masat, në përpjekje për ta penguar përhapjen e virusit.
Numri i rasteve të raportuara të koronavirusit në provincën Hibei të Kinës, epiqendër e epidemisë, ka shënuar ngritje të hënën për më shumë se 1.933, pas rënies dyditëshe. Po ashtu, më shumë se 100 raste të vdekjes janë raportuar që nga e diela.
Në pjesën kontinentale të Kinës, zyrtarët kanë thënë se numri i përgjithshëm i rasteve është rritur më 2.048, duke arritur në 70.548, me 1.770 raste të vdekjes, raporton Reuters, transmeton Koha.net.
Gati 90 për qind të rasteve raportohen në Wuhan, qytet 11 milion banorësh, ku besohet ta ketë origjinën virusi.
Virusi, që besohet ta ketë një periudhë inkubacioni 14-ditëshe, ka bërë që mijëra veta të vihen në karantinë nëpër botë.
Në Kamboxhë, autoritetet po mundoheshin që t’i gjenin mijëra pasagjerë, që kishin zbarkuar prej një anijeje, pas alarmit të shkaktuar nga një amerikane, e cila kishte qenë në bordin e saj dhe tek e cila ishte konfirmuar prania e koronavirusit.