Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koronavirusi gati të shndërrohet në pandemi

Foto: Reuters

Përhapja e rasteve të reja të koronavirusit në përherë e më shumë vende të botës ka shtuar frikën për shpalljen e virusit pandemi.

Shumica e të infektuarve janë në Kinë, por tani shtetet e tjera si Koreja Jugore, Italia dhe Irani janë mbërthyer nga paniku dhe po e ashpërsojnë betejën për ta frenuar përhapjen e virusit që shkakton ethe, temperaturë, si dhe vështirësi në frymëmarrje, raporton KTV.

Pandemia deklarohet atëherë kur një sëmundje infektive kërcënon pjesë të ndryshme të botës në të njëjtën kohë.

Mjekët deri më tani nuk kanë arritur që ta gjejnë ndonjë vaksinë apo trajtim tjetër efikas për parandalimin e koronavirusit të ri.

Ndërkaq, 77 mijë persona janë të infektuar në Kinë, ndërsa mbi 2 mijë e 600 të tjerë kanë vdekur.

Koronavirusi ka gjeneruar një valë të madhe paniku, pasi që më shumë se 1 mijë e 200 raste të reja janë konfirmuar në 26 shtete të botës. E sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tetë persona kanë vdekur jashtë territorit kinez.

Të hënën, Afganistani, Kuvajti dhe Bahrejni raportuan rastet e para dhe në të gjitha përfshihen persona që së fundi janë kthyer nga vizitat në Irani.

Situata në Korenë Jugore, Iran dhe Itali shpërfaq fazat e hershme të një pandemie.

Në krejt këto vende po vërehet përhapje e virusit që nuk lidhet fare me Kinën. Ndërkaq tentimet e Italisë për ta parandaluar përhapjen e virusin konsistojnë me një skenar të ngjashëm si në Kinë.

Rastet në Itali kanë nxitur frikë përbrenda bllokut evropian. Me gjithë këtë, Komisioni Evropian ka deklaruar se BE-ja nuk po e shqyrton mundësinë e pezullimit të udhëtimeve përbrenda zonës Schengen.

Komisionarja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides, ka thënë se ndalimi i udhëtimeve brenda zonës Schengen duhet të jetë i koordinuar mes vendeve të BE-së, derisa ka konfirmuar se një mision i Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të udhëtojë në Itali për ta vlerësuar gjendjen.

Situatë më e vështirë mbizotëron aktualisht në Iran, pasi që autoritetet vendore të shëndetësisë kanë deklaruar se virusi është përhapur në disa qytete të tjera. Të hënën është raportuar se në Iran gjatë muajit shkurt kanë vdekur 12 persona, shkaku i koronavirusit.

Ndërkaq OBSH-ja ka paralajmëruar se mundësia për parandalim të virusit është duke u shuar.

Artikuj të ngjashëm