Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koronavirusi / vendet e tjera bashkë e tejkalojnë Kinën me të infektuar, Gjermania mbyll kufijtë

Foto: Reuters

Numri i infektimeve me koronavirus jashtë territorit kinez ka tejkaluar ato brenda Kinës gjatë së hënës.

Numri total i infektimeve jashtë Kinës ka arritur në 87 mijë, ndërsa deri më tani, në territorin kinez janë 80 mijë të infektuar, raporton KOHA.

Nga 169 mijë të infektuarit anembanë botës, 6 mijë e 513 persona kanë vdekur. E numri i të shëruarve nga virusi ka arritur në 77 mijë.

Përhapja më e madhe po vazhdon në Evropë. Kjo ka detyruar Gjermaninë që të marrë vendim për mbylljen e kufijve me shtetet që e rrethojnë.

4 mijë e 800 persona janë të infektuar në Gjermani, ndërsa deri më tani kanë vdekur 12.

Edhe Shifra rekorde të të infektuarve me koronavirus në Gjermani Botë Shifra rekorde të të infektuarve me koronavirus në Gjermani

Tri shtete të mëdha evropiane kanë shënuar ditën më të rëndë nga koronavirusi të dielën. Në Itali janë regjistruar 368 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1 mijë e 809.

Spanja shënoi 97 raste, për ta çuar në total numrin e të vdekurve në 288, ndërsa Franca ka evidentuar 120 vdekje në total, duke e shënuar të dielën me 29 vdekje.

Britania e Madhe ka raportuar për 14 vdekje të reja, duke e çuar totalin në 35.

Zvicra regjistroi 800 infektime vetëm në 24 orët e fundit. Totali i të infektuarve tani ka arritur në 2 mijë e 200. E në këtë shtet deri më tani, janë raportuar 14 të vdekur.

Në Itali janë infektuar rreth 25 mijë persona. E Spanja ka më shumë se 7 mijë e 700 të infektuar, ndërsa në Francë janë mbi 5 mijë e 400.

Shtetet në Evropë iu përgjigjën përhapjes së koronavirusit, duke ndaluar lëvizjet e qytetarëve dhe duke i shtrënguar kufijtë.

Edhe Mbi 300,000 persona të vdekur në Evropë nga koronavirusi Botë Mbi 300,000 persona të vdekur në Evropë nga koronavirusi

Mirëpo, mbylljen e kufijve nuk e ka pritur aq mirë Bashkimi Evropian. Zyrtarë nga Komisioni Evropian kanë bërë thirrje që mbyllja e kufijve të jetë e koordinuar dhe të mos pengojë furnizimin me ushqim dhe produkte mjekësore.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur Evropën tani “epiqendër” të pandemisë që origjinën e kishte në Kinë.