Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë testuar raketa balistike të mërkurën, duke vënë në pak një garë të armatimit në gadishull, ndërsa bisedimet për armët nukleare me Korenë e Veriut kanë stagnuar, raporton BBC.
Koreja e Veriut ka lansuar dy raketa balistike në bregun lindor të vet, testimin e parë të raketave të tilla në gjashtë muajt e fundit dhe një shkelje e re e rezolutave të Kombeve të Bashkuar.
Testimet erdhën ndërsa Koreja e Jugut dhe Kina kanë diskutuar për çështjen e armatimit nuklear të Koresë së Veriut.
Disa orë pas lansimit të raketave nga Koreja e Veriut, lansoi raketa balistike Koreja e Jugut nga nëndetësja.
Testimi i raketave të njohura si SLBM ishte para-planifikuar dhe nuk ishte në reagim të testimeve të Koresë së Veriut. Koreja e Jugut është shteti i shtatë në botë që ka teknologji të tillë.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, që pa nga afër testimet, tha se Koreja e Jugut, ka kapacitete për t’iu përgjigjur provokimeve të Koresë së Veriut.
Ai ka kërkuar nga Koreja e Jugut që të vazhdojë të risë programin e armëve për ta mposhtur fuqinë asimetrike të Koresë së Veriut.
Komentet u kritikuan nga Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, që i përshkroi ato si jologjike dhe për të ardhur keq, duke paralajmëruar se mund të çojë në prishjen e marrëdhënieve, raporton agjencia KCNA.
Në testimet e Koresë së Veriut, raketa me rreze të shkurtër fluturuan rreth 800 kilometra në një lartësi maksimale 60 kilometra, është njoftuar.