Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Plakja

Kompania japoneze e pelenave fokusohet te të rriturit

Pelena

Një kompani japoneze e pelenave ka njoftuar se do ta ndalë prodhimin e pelenave për foshnja dhe do të fokusohet në tregun për të rritur.

“Oji Holdings” është vetëm një nga kompanitë që ka kthyer vëmendjen kah plakja e shpejtë që ka kapluar Japoninë, ku shkalla e lindjes është në nivel rekord të ulët.

Shitjet e pelenave për të rritur tejkaluan ato për foshnja për herë të parë në më shumë se një dekadë.

Numri i foshnjave të lindura në Japoni më 2023 ishte 758 mijë e 631 apo 5.1 për qind më pak se një vit më herët.

Ishte po ashtu numri më i ulët i lindjeve i regjistruar në Japoni që nga shekulli i 19-të. Në të 70-at shifra ishte mbi dy milionë.

Edhe Japonia shënon numrin më të ulët të lindjeve në mbi një shekull Botë Japonia shënon numrin më të ulët të lindjeve në mbi një shekull

Në një njoftim, “Oji Holdings” ka thënë se dega e saj “Oji Nepia” aktualisht prodhon 400 milionë pelena për foshnja çdo vit. Prodhimi ka pësuar rënie që nga 2001-shi, kur kulmi ishte 700 milionë pelena të prodhuara në vit.

Më 2011, prodhuesi më i madh i pelenave në Japoni, “Unicharm”, pati thënë se shitjet e pelenave për të rritur ka tejkaluar ato për foshnja.

Ndërkohë, tregu i pelenave për të rritur është zgjeruar shumë dhe parashikohet që tregu të tejkalojë vlerën e dy miliardë dollarëve. Japonia ka popullatën ndër më të moshuarat në botë. Gati 30 për qind e japonezëve janë 65-vjeç ose më të moshuar. Vitin e shkuar, mbi 80-vjeçarët përbënë 10 për qind për herë të parë.

“Oji Holdings” ka thënë se do të vazhdojë të prodhojë pelena për foshnja në Malajzi e Indonezi ku pret shtim të lindjeve.

Edhe Qeveria japoneze krijon aplikacion për çiftëzim pas rënies rekorde të lindshmërisë Kuriozitet Qeveria japoneze krijon aplikacion për çiftëzim pas rënies rekorde të lindshmërisë

Tkurrja e popullatës, si rezultat edhe plakjes por edhe shkallët të ulët të lindjes, është kthyer në krizë për një nga ekonomitë më të fuqishme të botës. Përpjekjet e qeverisë për t’i adresuar këto sfida kanë pasur pak sukses. Programet për kujdes ndaj fëmijëve e subvencionet për çiftet e reja, s’kanë nxitur lindjet në Japoni.

Por Japonia s’është e vetme në këtë aspekt. Telashe ka edhe në shtetet të tjera përreth.