Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kina rivalizon Amerikën për ekonominë më të madhe në botë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë ekonominë më të madhe në botë me 20.4 trilionë dollarë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që tregon se ekonomia amerikane pati rritje vitin e kaluar nga 19.4 trilionë dollarë, në 20.4 trilionë dollarë.

Kina e ndjek me 14 trilionë dollarë, që është një rritje prej më shumë se 2 trilionë dollarë në krahasim me 2017. Japonia është në vendin e tretë me një ekonomi prej 5.1 trilionë dollarësh, nga 4.87 trilionë dollarë një vit më parë.

Megjithatë, kështu siç po ecin gjërat, sipas “World Economic Forum”, dominimi i ekonomisë amerikane do të pësojë rënie. Dhe ajo që mund t’ia zë vendin është Kina. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, ekonomia globale do të zgjerohet me 6.5 trilionë dollarë midis 2017 dhe 2019. GDP e Amerikës pritet të përbëjë 17.9 % të kësaj rritjeje. Kina, megjithatë, parashikohet të arrijë pothuajse dyfishin e kësaj, përkatësisht 35.2 %.