Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kina për “rivendosjen” e marrëdhënieve me SHBA-në e Bidenit

Ministri i Jashtëm i Kinës ka thënë se Pekini është i hapur për të rifilluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se dy vendet janë në një “nyje kritike historike” pas një viti me tensione të përshkallëzuara.

Në një videoadresim në Këshillin Biznesor Amerikano-Kinez, Vang Yi ka theksuar se politika amerikane ndaj Kinës duhet t’i kthehet “objektivitetit dhe racionalitetit”, bëhet e ditur në një transkript të publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Do të jemi të etur për ta rifilluar dialogun, të kthehemi në binarë të duhur dhe të rindërtojmë besimin e përbashkët në fazën e ardhshme të marrëdhënieve sino-amerikane”, ka thënë Vang. Ai mendon se acarimet në ngritje ndërmjet dy vendeve kanë ardhur për shkak të “mendësisë dhe paragjykimeve ideologjike të dala mode të Luftës së Ftohtë”.

“Çelësi është respektimi i njëri-tjetrit. Respektimi i trashëgimisë historike dhe kulturore të njëri-tjetrit, respektimi i interesave thelbësore dhe shqetësimeve të mëdha të njëri-tjetrit, si dhe respektimi i zgjidhjeve të njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Këshilli është organizatë joprofitabile që përfaqëson interesat e më shumë se 200 kompanive amerikane që ushtrojnë veprimtari.

Fjalimi i Vangut vjen në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump vazhdon të shtyjë përpara masat ndëshkuese kundër Qeverisë kineze. Në veprimin e fundit të marrë të hënën, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sanksione të reja kundër 14 zyrtarëve në legjislaturën më të lartë të Kinës, Komiteti i Kongresit Popullor Kombëtar, për shkak të një ligji të sigurisë për marrjen e kontrollit të Hong-Kongut, qendër e madhe financiare.

Prej se ligji – i cili ndalon secesionin, subversionin, aktivitetet terroriste dhe përzierjen me fuqi të huaja – ka hyrë në fuqi në qershor, qyteti është përfshirë në arrestime masive dhe kufizime të ashpra kundër lirisë së shprehjes, përderisa shumë aktivistë janë shtrënguar të largohen nga vendi. Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se sanksionoi 14 zyrtarë kinezë për përfshirje “në zhvillim, përshtatje dhe zbatim” të ligjit të sigurisë kombëtare. Të gjithëve u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, bashkë me familjet e tyre, derisa shumë asete që mund t’i kenë ose kontrollojnë në Shtetet e Bashkuara, do të bllokohen.

Megjithatë, shefi i Komitetit, Li Zhanshu – aleat i ngushtë i liderit kinez, Xi Jinping, dhe anëtar i Komitetit të fuqishëm të Partisë Komuniste – nuk ishte në mesin e të listuarve.

“Aksionet tona spikasin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët për të kërkuar llogari nga Pekini për minimin e premtimit për autonomi të Hong-Kongut”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara janë në prag të aprovimit të Ligjit që u kërkon të gjitha kompanive të jashtme që kanë aksione në ekonominë amerikane, t’i prezantojnë të dhënat për gjendjen e tyre financiare para autoriteteve përgjegjëse amerikane me qëllim që të dihet mirëfilli prejardhja e pasurisë.

Artikuj të ngjashëm