Botë

Kina ekzekuton 11 anëtarë të një bande kriminale

Kine

Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të një bande mafioze që drejtonte qendra mashtrimi në Birmani, përgjatë kufirit të saj verilindor, raportojnë mediat shtetërore.

Anëtarët e bandes Ming u dënuan në shtator për krime të ndryshme, përfshirë vrasje, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe udhëheqje të shtëpive të lojërave të fatit, nga një gjykatë në provincën Zhejiang të Kinës.

Banda Ming ishte një nga shumë klane që kontrollonin qytetin Laukkaing, duke e shndërruar një zonë të varfër dhe të lënë pas dore në një qendër luksoze kazinosh dhe zonash të prostitucionit.

Perandoria e tyre e mashtrimeve u shemb në vitin 2023, kur ata u arrestuan dhe iu dorëzuan Kinës nga milicitë etnike që kishin marrë kontrollin e Laukkaing gjatë përshkallëzimit të konfliktit me ushtrinë e Birmanisë.

Me këto ekzekutime, Pekini po dërgon një mesazh për mashtruesit e mundshëm. Megjithatë, ky aktivitet tani është zhvendosur në kufirin e Birmanisë me Tajlandën, si dhe në Kamboxhia dhe Laos, ku Kina ka shumë më pak ndikim.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, qindra mijëra njerëz janë trafikuar për të kryer mashtrime online në Birmani dhe gjetkë në Azinë Juglindore. Midis tyre ka mijëra shtetas kinezë, ndërsa viktimat e këtyre mashtrimeve, nga të cilat vidhen miliarda dollarë, janë kryesisht kinezë.

I zhgënjyer nga refuzimi i ushtrisë së Birmanisë për të ndalur biznesin e mashtrimeve, nga i cili me shumë gjasa përfitonte, Pekini mbështeti në mënyrë të heshtur një ofensivë të një aleance kryengritëse etnike në shtetin Shan në fund të vitit 2023. 

Aleanca pushtoi territore të rëndësishme nga ushtria dhe mori nën kontroll Laukkaingun, një qytet kyç kufitar.