Me buzëqeshje Kim Jong Un ia zgjati dorën presidentit të Koresë Jugore, Moon Jae-in që po ashtu me buzëqeshje po e priste matanë kufirit.
Që prej viteve 1950-53 kur u zhvillua lufta koreane asnjë lider verior nuk kishte shkelur në Korenë Jugore. Takimi historik i dy liderëve të Koreve u realizua në Panmunjom, fshat në të cilin u nënshkrua paqja ndërkoreane në vitin 1953.
“Jam shumë i lumtur që takimi u bë në këtë vend historik dhe jam i lumtur që erdhe deri në kufi për të më përshëndetur personalisht”, ka thënë Kim derisa shtrëngoi duart me Moonin.
“Ishte vendimi jot i madh për të ardhur këtu”, i është përgjigjur Moon, transmeton Koha.net.
Të njëjtin veprim nuk e kishte bërë as gjyshi i Kimit, themeluesi i regjimit veri-korean, Kim Il Sung, dhe as babai i tij, Kim Jong Il. Samitet e mëparshme të liderëve koreanë u mbajtën në vitin 2000 dhe 2007, të dyja në Pyongyang, kryeqytet të Veriut.
Kim pasi shkeli në tokën jugkoreane, është shprehur se ka shumë emocione dhe pyeti “përse u vonuam aq shumë” për të ardhur deri te ky moment.
Edhe
Kim Jong-un s’përjashton bisedimet me SHBA-në, me një kusht
“Krejt bota po shikon” takimin tonë dhe kanë pritje të mëdha, ka thënë Moon derisa ka pritur liderin veri-korean në Shtëpinë e Paqes.
“Kemi shumë mbi supe”, i ka thënë Moon, derisa ka shtuar se kalimi i kufirit nga Kimi do të thoshte se ka shenja paqeje dhe jo ndarjeje.
Në një pikë të bisedimeve, Kim, sipas Reutersit, i ka thënë Moonit të ketë dëgjuar se “gjithmonë zgjohesh herët” shkaku i testeve me raketa të Koresë Veriore, por i premtoi se më nuk do t’ia prish gjumin.
