Energjia dhe uji u rikthyen në Kiev, ka njoftuar Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit. Popko ka thënë se rreth 30% e konsumatorëve në kryeqytet kanë mbetur pa ngrohje dhe se punimet e riparimit po vazhdojnë.
Kryeqyteti i Ukrainës e ka kthyer pjesën më të madhe të furnizimit me energji elektrike pasi vendi u përgjigj përsëri me shpejtësi ndaj breshërisë më të fundit të raketave ruse dhe dronëve që kishin cak infrastrukturën energjetike.
Në atë që është bërë një taktikë e njohur ruse që nga fillimi i tetorit, forcat e Kremlinit e kanë goditur Ukrainën nga larg teksa betejat tokësore në lindje të vendit kryesisht mbetën të ngecura në një ngërç të rëndë.
Qëllimi i dukshëm i sulmit të termocentraleve dhe infrastrukturës tjetër është ta dobësojë vendosmërinë e Ukrainës dhe të detyrojë qeverinë ukrainase të negociojë paqen sipas kushteve të Moskës.
Autoritetet ukrainase u përpoqën të kundërshtojnë pasojat e bombardimeve të fundit, pjesë e një cikli të përsëritur të shkatërrimit dhe riparimit urban që ka sjellë pak ndryshime në rrjedhën e luftës, e cila kohët e fundit hyri në vitin e saj të dytë.
Instituti për Studimin e Luftës, institut me bazë në Uashington, ka bërë të ditur në një vlerësim se “këto sulme raketore nuk do ta minojnë vullnetin e Ukrainës ose nuk do t’i përmirësojnë pozicionet e Rusisë në vijat e para”.
Analisti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov, ka theksuar se rusët po godasin infrastrukturën civile, sepse ata nuk mund të synojnë në mënyrë efikase asetet ushtarake ukrainase.
“Rusëve u mungojnë të dhënat për vendndodhjen e trupave dhe armëve ukrainase, kështu që ata synojnë infrastrukturën civile dhe përdorin të njëjtat metoda të vjetra për të sulmuar civilët për të mbjellë frikë dhe panik në shoqëri”, ka thënë ai. “Ukraina i ka mbijetuar dimrit dhe goditjet e Rusisë në sistemin energjetik në pranverë vështirë se kanë ndonjë kuptim”.
Energjia dhe uji u rikthyen në Kiev, ka njoftuar Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit. Popko ka thënë se rreth 30% e konsumatorëve në kryeqytet kanë mbetur pa ngrohje dhe se punimet e riparimit po vazhdojnë.
Furnizimi me energji elektrike iu rikthye më shumë se nëntë në 10 konsumatorë në rajonin verilindor të Kharkivit të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa energjia iu rikthye gjithashtu një të tretës së konsumatorëve në rajonin jugor të Zaporizhzhias të Ukrainës.
Në një tjetër shenjë të normalitetit që kthehet shpejt, kryeministrja Sanna Marin e Finlandës bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev të premten.
Marin shoqëroi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe oficerë të lartë ushtarakë në funeralin e një komandanti ukrainas të vrarë në luftimet pranë qytetit të shkatërruar lindor të Bakhmut. Shërbesa u mbajt në katedralen e Manastirit me Kupolë të Artë të Shën Michaelit të Kievit.
Zelenskyy dhe Marin gjithashtu kanë vendosur lule në një memorial aty pranë për ushtarët e rënë ukrainas.
Kryeministrja u bëri thirrje liderëve të tjerë perëndimorë që kanë akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë dhe ka theksuar se ushtarët dhe udhëheqësit rusë do të mbahen përgjegjës në një sallë gjyqi.
Përktheu: Blerta Haxhiu