Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur tri zona kryesore bërthamore në Iran gjatë orëve të hershme të së dielës, duke iu bashkuar Izraelit në sulmet ndaj Iranit dhe duke shkaktuar potencialisht një fazë më të rrezikshme të konfliktit, shkruan “The New York Times”.
Një zyrtar amerikan ka thënë se gjashtë aeroplanë luftarakë amerikanë B-2 hodhën një duzinë bomba bunker-shkatërruese në objektin bërthamor Fordow, dhe nëndetëset e Marinës amerikane goditën me 30 raketa lundruese objektet bërthamore në Natanz dhe Isafahan.
Një bombardues B-2 po ashtu hodhi dy bomba bunker-shkatërruese në Natanz, ka thënë zyrtari.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në fjalimin e tij të shkurtër pas sulmeve tha se objektet bërthamore iraniane janë “shkatërruar plotësisht”.
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka konfirmuar se tri objektet janë goditur dhe tha se do të marrë masa ligjore kundër SHBA-së në gjykatat ndërkombëtare.
Këto janë lokacionet bërthamore që janë goditur nga SHBA-ja:
Fordow
Fordow shihet si lokacioni më kritik i pasurimit të uraniumit në Iran, i vendosur thellë brenda një mali për ta mbrojtur atë nga sulmet. Vetëm Ushtria amerikane zotëron bomba që mund ta godasin objektin dhe duhen hedhur shumë bomba në lokacionin e njëjtë për të arritur deri te objekti.
Një zyrtar amerikan tha se vlerësimet fillestare tregojnë se objekti “ishte hequr nga tavolina”.
Një ligjvënës iranian ka shkruar në rrjete sociale se vendi ishte evakuuar “shumë kohë më parë” në pritje të sulmeve.

Natanz
Natanz është qendra më e madhe të pasurimit të uraniumit në Iran dhe është dëmtuar në sulme të shumta nga Ushtria izraelite.
Objektet mbitokësore në Natanz u dëmtuan ditën e parë të sulmeve të Izraelit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha të hënën se infrastruktura elektrike në uzinë është shkatërruar nga sulmet izraelite dhe se humbja e energjisë mund të ketë dëmtuar edhe centrifugat në vend.

Isafahan
Mendohet se karburanti bërthamor i nivelit për të krijuar bombë ruhet në një kompleks jashtë Isafahanit, kryeqytetit të dikurshëm të Iranit. Inspektorët ndërkombëtarë i panë furnizimet me karburant vetëm dy javë më parë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse Irani i kishte lëvizur ato furnizime në ditët e fundit, siç thanë disa zyrtarë iranianë.
Ushtria izraelite më parë kishte goditur laboratorët në objekt që punojnë për ta kthyer uraniumin e gazët në formën që duhet për të prodhuar një armë. Aeroplanët luftarakë izraelitë goditën objektin para bombardimit nga SHBA-ja.

