Një akuzë e vetme penale rëndon mbi personin e akuzuar për vrasjen e 20 personave dhe për lëndimin e rreth 25 të tjerëve në një dyqan Walmart në El Paso, rast të cilin autoritetet vendase po e konsiderojnë si terrorizëm i brendshëm.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se ky rast ngjason me krim të urrejtjes. Policia ka cituar shkrimin e tij kundër imigrantëve të postuar pak kohë para sulmit, i cili i atribuohet të dyshuarit Patrick Crusius, si dëshmi se dhuna kishte motive racore, raporton Reuters.
Gjyshërit e 21 vjeçarit, me të cilët Crusiusi ka jetuar së fundmi, thanë se janë të tmerruar me sulmin.
“Jetoi me ne në shtëpinë tonë në Allen, Teksas, derisa po shkonte në Kolegjin Collin”, ka thuhet në deklaratën gjyshërve të tij, e cila u lexua para gazetarëve të mbledhur para shtëpisë së tyre. “Doli nga shtëpia jonë gjashtë javë më parë, dhe ka kaluar disa net këtu derisa ne ishim jashtë qytetit”, transmeton Koha.net.
Akuza e vetme ndaj tij me gjasë është masë ligjore për të mbajtur Crusiusin në paraburgim derisa të ngrihen akuza tjera ndaj tij për secilin prej të vdekurve dhe për të lënduarit.
Një prokuror shtetëror ka thënë se prokurorët do të kërkojnë dënim me vdekje kundër Crusiusit nëse i njëjti shpallet fajtor.