Deklarimet ruse rreth garancive të ofruara nga Qeveria turke se Kanali i Stambollit nuk do t’ia hapë rrugën pranisë së shtuar të anijeve ushtarake të NATO-s janë bërë në kohën e tensioneve të reja midis Rusisë dhe Perëndimit, shkaku i hyrjes së anijeve perëndimore në Detin e Zi
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar të premten se vendi i tij ka marrë garanci nga Turqia se ndërtimi i Kanalit të Stambollit, shteg ky detar që e synon shkarkimin e trafikut të anijeve në Bosfor, nuk do të hapë rrugën për praninë e shtuar detare të forcave të NATO-s në Detin e Zi.
Lavrovi ka deklaruar gjatë një konference për shtyp përkrah homologut të tij turk, Mevlut Çavushoglu, mbajtur në qytetin bregdetar turk Antalya, se ai dhe kolegu turk janë planet e ndërtimit nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë në parametrat e pranisë së forcave të huaja detare në rajon, ka raportuar të premten “Al-Jazeera”.
Nga ana tjetër, Çavushoglu ka konfirmuar se Turqia zotohet që të mos e lejojë NATO-n që të dërgojë anije luftarake shtesë në Detin e Zi, duke pretenduar se Kanali i Stambollit nuk do të ketë “ndikim të drejtpërdrejtë” në Konventën e Montreuxit të 1936-s dhe në rregullimin e shtigjeve lundruese nëpërmjet Bosforit dhe Dardaneleve.
“Al-Jazeera” ka raportuar se kryediplomati turk është zotuar se nuk do të ketë kurrfarë pengesash që ndërlidhen me Konventën e Montreuxit, kur është në pyetje ndërtimi i Kanalit. Ai ka shtuar se marrëveshja përmban dispozita të veçanta, të cilat i parashohin mënyrat për rishikimin dhe pezullimin e saj. Ndërkaq, ka siguruar se shtegu lundrues do të jetë nën juridiksionin e Turqisë.
Deklarimet ruse rreth garancive turke për Kanalin e Stambollit janë bërë në kohën e tensioneve të reja midis Rusisë dhe Perëndimit, shkaku i hyrjes së anijeve perëndimore në Detin e Zi.
Edhe
Turqia nuk mund t’i ndalojë luftanijet ruse të hyjnë në Bosfor
Dhjetë ditë më parë, flota detare e Rusisë ka bërë të ditur të ketë shkrepur të shtëna paralajmëruese drejt një luftanijeje britanike për ta larguar nga ujërat që vendi i pretendon për të vetat në Detin e Zi. Pas këtij incidenti, janë mbajtur manovra ushtarake detare ndërmjet Ukrainës dhe disa vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Detin e Zi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur të mërkurën se vendi i tij do të mund ta fundoste anijen britanike dhe se kjo gjë do ta shpinte drejt shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Ai po ashtu ka akuzuar SHBA-në për përfshirje në atë që ai e cilësoi si “akt provokues”.
Konventa e Montreuxit e kufizon hyrjen e anijeve luftarake në Detin e Zi, duke vendosur rregulla të ashpra për lundrimin në këtë zonë, porse e garanton kalimin e lirë të anijeve civile, në kohë lufte apo paqeje. “Al-Jazeera” ka raportuar se Putini i ka bërë thirrje homologut të tij turk gjatë prillit të shkuar që të respektohet kjo Konventë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar më pas se Qeveria e tij nuk e synon daljen nga Konventa.
Edhe
Erdogani akuzon admiralët e arrestuar për “puç politik”
Erdogani ka nisur rreth një javë më parë jetësimin e projektit për Kanalin e Stambollit, që kap vlerën prej 15 miliardë dollarësh, teksa ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të vënies së gurthemelit për ndërtimin e urës së parë.
Shtegu i planifikuar detar planifikohet të jetë rreth 45 kilometra i gjatë. Erdogani qysh më 2011 e kishte paralajmëruar një plan të tillë, porse është kritikuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat kanë pretenduar se Kanali nuk i sjell kurrfarë përfitime ekonomisë së Turqisë.