Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kamioni godet 31 vetura në qytetin gjerman

Një shofer i dehur ka shkaktuar aksident të rëndë në jug të Gjermanisë. Me kamionin e tij nuk e ka respektuar dritën e kuqe të semaforit dhe ka goditur së paku 31 automjete në Fuerth, afër Nurembergut. Në këtë aksident janë lënduar tre persona.

Policia ka bërë të ditur se pasi ka shmangur dritën e kuqe kamioni ka goditur një veturë që po kalonte në udhëkryq, pastaj ka goditur automjetet e parkuara. Disa prej këtyre automjeteve janë përplasur për muret e shtëpisë dhe kanë marrë flakë. Shkaku i zjarreve janë evakuuar dhjetëra shtëpi, shkruajnë mediat e huaja. 

Policia ka bërë të ditur se shoferi, shtetas turk me leje qëndrimi në Gjermani, është arrestuar në vendin e ngjarjes. Testi i alkoolit ka treguar se ai ishte jashtë kufizimeve për të drejtuar automjetin. 50-vjeçari i arrestuar, së bashku me ngasësin e veturës tjetër dhe një kalimtar, kanë mbetur të lënduar nga ky aksident i madh.