Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kaçaku rus që nuk i bindet Putinit

Kur Vladimir Putini njoftoi një mobilizim të pjesshëm të burrave rusë në shtator të vitit të kaluar, Adam Kalininit - jo emri i tij i vërtetë - iu desh një javë për të vendosur se gjëja më e mirë që mund të bënte ishte të zhvendosej në pyll.

Specialisti i IT-së ishte kundër luftës që në fillim, duke marrë një gjobë dhe duke kaluar dy javë në paraburgim për ngjitjen e një posteri që thoshte "Jo luftës" në murin e pallatit të tij.

Kështu, kur Rusia tha se po rekrutonte 300 mijë burra për të ndihmuar ndryshimin e gjërave në një luftë që po humbiste, Kalinini nuk donte të rrezikonte të dërgohej në vijën e parë për të vrarë ukrainasit.

Por, ndryshe nga qindra mijëra të tjerë, ai nuk donte të largohej nga vendi.

Tri gjëra e mbajtën atë në Rusi: miqtë, kufizimet financiare dhe shqetësimi për të braktisur atë që di.

Edhe Pa rrymë, pa ujë, pa karburant - Sulmet ukrainase sjellin errësirë ​​në verën e Krimesë Botë 19 o. më parë Pa rrymë, pa ujë, pa karburant - Sulmet ukrainase sjellin errësirë ​​në verën e Krimesë

“Largimi do të ishte një hap i vështirë jashtë zonës sime të rehatisë”, tha Kalinini, i cili është rreth të tridhjetave, për BBC-në. “As këtu nuk është aspak komode, por megjithatë, psikologjikisht do të ishte vërtet e vështirë të largohesha”.

Vendim sfidues

Dhe kështu ai ndërmori hapin e pazakontë, duke ia thënë lamtumirën gruas së tij dhe u nis drejt pyllit, ku jeton në një tendë prej afro katër muajsh.

Ai përdor një antenë të lidhur në një pemë për qasje në internet dhe panele diellore për energji.

Ai ka duruar temperatura deri në -11C dhe mbijeton mbështetur në furnizimet ushqimore që i sjell rregullisht gruaja e tij.

Të jetosh jashtë rrjetit, thotë ai, është mënyra më e mirë që mund të mendojë për të shmangur thirrjen. Nëse autoritetet nuk mund t'ia dorëzojnë një thirrje personalisht, ai nuk mund të detyrohet të shkojë në luftë.

"Nëse nuk janë fizikisht në gjendje të më kapin për dore dhe të më çojnë në zyrën e regjistrimit, kjo është një mbrojtje 99% kundër mobilizimit ose ngacmimeve të tjera".

Në një farë mënyre, Kalinini vazhdon jetën e tij si më parë. Ai ende punon tetë orë në ditë në të njëjtën punë, megjithëse gjatë gjithë dimrit - me dritën e kufizuar të ditës - ai nuk ka energji të mjaftueshme diellore për të punuar ditë të plota dhe kështu plotëson orët e tij në fundjavë.

Disa nga kolegët e tij janë tani në Kazakistan, pasi janë larguar gjithashtu nga Rusia pas fillimit të mobilizimit, por lidhja e tij në internet nëpërmjet një antene me rreze të gjatë të lidhur në një pemë pishe është mjaft e sigurt saqë komunikimi nuk është problem.

Ai është gjithashtu një merakli i natyrës. Ai ka kaluar shumë nga pushimet e tij të mëparshme duke bërë kamp në Rusinë jugore me gruan e tij. Kur mori vendimin për t'u zhvendosur përgjithmonë në natyrën e egër, ai tashmë kishte shumë nga pajisjet që i nevojiteshin.

“Dashuria e ndaluar”

Gruaja e tij, e cila vizitoi kampin e Kalininit për disa ditë gjatë vitit të ri, luan një rol të madh në mbijetesën e tij. Ajo sjell furnizime çdo tri javë në një pikë ku ata janë në gjendje të takohen personalisht për pak kohë. Ai më pas i çon furnizimet në një vend të sigurt, të cilin e viziton çdo disa ditë për t'i plotësuar mungesat. Ai gatuan duke përdorur një sobë të improvizuar me dru.

"Unë kam tërshërë, çaj, kafe, sheqer. Jo mjaftueshëm fruta dhe perime të freskëta sigurisht, por nuk është shumë keq", thotë ai.

Edhe I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar Botë 1 d. më parë I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar

Shtëpia e re e Kalininit është një tendë e madhe e tipit që përdoret për peshkim në akull. Kur mbërriti për herë të parë në pyll, ai ngriti dy kampe me një distancë prej pesë minutash; njëri me qasje në internet ku punonte, tjetri në një vend më të mbrojtur ku flinte.

Ndërsa dimri afrohej dhe moti bëhej më i ftohtë, ai bashkoi të dy zonat për të jetuar dhe punuar.

Kohët e fundit temperatura ka rënë në -11C, më e ftohtë nga sa priste. Por tani ditët po zgjaten përsëri dhe bora ka filluar të shkrihet, ai planifikon të qëndrojë aty ku është.

Edhe pse Kalinini nuk ka marrë një thirrje vetë, ai thotë se situata po ndryshon vazhdimisht dhe ai ka frikë se mund të marrë një thirrje në të ardhmen. Zyrtarisht, punonjësit e IT-së si Kalinini janë të përjashtuar nga rekrutimi, por ka raporte të shumta në Rusi për përjashtime të ngjashme që janë injoruar.

Presidenti Vladimir Putin njoftoi mobilizimin më 21 shtator, menjëherë pas kundërofensivës së rrufeshme të Ukrainës në rajonin e Kharkivit, gjatë së cilës ajo rimori mijëra kilometra katrorë territor nga trupat ruse.

Ai tha se mobilizimi ishte i nevojshëm për të mbrojtur Rusinë kundër Perëndimit. Por shumë në vend protestuan dhe pati skena kaotike në kufijtë e Rusisë ndërsa qindra mijëra njerëz u larguan.

Thirrja pati një efekt të thellë në Rusi. Deri atëherë, shumë rusë ishin në gjendje të vazhdonin jetën e tyre ashtu siç kishin bërë para luftës. Vërtet, disa marka perëndimore u zhdukën dhe sanksionet i vështirësuan transaksionet financiare, por ndikimi i drejtpërdrejtë në shoqëri ishte kryesisht i kufizuar.

Mobilizimi solli përplasjen e luftës në dyert e shumë familjeve ruse. Papritur, djemtë, baballarët dhe vëllezërit u vendosën në vijën e frontit me një njoftim të shkurtër, shpesh me pajisje të dobëta dhe trajnim minimal. Nëse konflikti më parë dukej i largët, tani ishte e pamundur të injorohej.

Megjithatë, aktet publike të protestave janë të rralla brenda Rusisë - diçka që është kritikuar në Ukrainë dhe në Perëndim. Por Kalinini thotë se njerëzit me të drejtë janë të frikësuar nga ajo që mund t'u ndodhë.

"Ne kemi një shtet totalitar që është bërë kaq i fuqishëm. Në gjashtë muajt e fundit ligjet janë sjellë me një ritëm të jashtëzakonshëm. Nëse një person flet tani kundër luftës, shteti do t'i ndjekë ata".

Jeta e Kalininit në pyll i ka sjellë atij një nivel të caktuar popullariteti në internet, me 17 mijë njerëz që ndjekin përditësimet e tij pothuajse ditore në Telegram. Ai poston video dhe foto të rrethinës së tij, rutinës së tij të përditshme dhe se si është organizuar kampi i tij.

Kalinini pretendon se nuk i mungon shumë jeta e tij e mëparshme. Ai e quan veten një introvert që nuk e ka problem të jetë vetëm, edhe pse i mungon gruaja dhe do të donte ta shihte më shpesh. Megjithatë, ai tregon se situata e tij aktuale është ende më e preferuar sesa të dërgohet në vijën e parë apo në burg.

Edhe E lanë Perëndimin për “vlerat tradicionale” të Rusisë, por realiteti u doli ndryshe Botë 2 j. më parë E lanë Perëndimin për “vlerat tradicionale” të Rusisë, por realiteti u doli ndryshe

“Kam ndryshuar aq shumë, saqë gjërat që mund të kisha humbur janë zbehur në plan të dytë”, thotë ai. "Gjërat që dukeshin të rëndësishme më parë nuk e kanë më fuqinë e tyre. Ka njerëz në një situatë shumë më të keqe se ne".

Përktheu: Forca Jashari