Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, gjatë një vizite në Podgoricë, i bëri thirrje opozitës malazeze për t’u rikthyer në parlament, duke theksuar rëndësinë e dialogut të brendshëm politik për të nxitur rrugën drejt BE-së.
“Dialogu i brendshëm politik nevojitet më shumë se kurrë tani që vendi juaj ka bërë përparime të rëndësishme në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Juncker duke folur dje në mbrëmje në parlamentin e Malit të Zi, raporton ATSH.
Podgorica është angazhuar në negociatat e pranimit në BE që në vitin 2012.
Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, i shoqëruar nga komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, zhvilloi një tur në Ballkanin Perëndimor për të konfirmuar mbështetjen e Brukselit për perspektivën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian të të gjithë rajonit.
Në Malin e Zi, opozita bojkotoi punimet e parlamentit në tetor 2016, duke kundërshtuar zgjedhjet parlamentare që u trazuan edhe nga një përpjekje për grusht shteti.
Pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Dushko Markoviq, Juncker tha se Mali i Zi dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin në BE, edhe pse anëtarësimi varet nga përpjekjet dhe rezultatet që do të arrihen nga secili prej vendeve kandidate.
“Nuk erdha në Podgoricë për të bërë premtime boshe lidhur me një datë të caktuar për pranimin e vendit tuaj në BE. Kur të plotësohen kushtet, atëherë kjo mund të ndodhë”, tha ai.
“Nuk mund t’ju them një datë të caktuar për anëtarësimin tuaj në union. Kjo varet nga përpjekjet tuaja dhe respektimi i kritereve të vendosura “, shtoi ai.
Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, rikonfirmoi se viti 2025, që Brukseli e prezantoi në strategjinë e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, nuk paraqet një datë fikse dhe të sigurt, por një perspektivë dhe një nxitje të përpjekjeve për ta respektuar atë.