Botë

Jetimët e COVID-it, trashëgimia tragjike e pandemisë në Indi

Devika dhe vëllezërit e motrat e saj janë vetëm disa nga mesi i të paktën 577 fëmijëve indianë që kanë humbur që të dy prindërit nga COVID-19 ndërmjet 1 prillit dhe 25 majit, kur vendi ishte përballur me valën e dytë shkatërrimtare të sëmundjes, kanë treguar të dhënat qeveritare të siguruara nga CNN-i. Por organizatat joqeveritare druajnë se shumë jetimë të tjerë – potencialisht me mijëra – nuk janë përfshirë në të dhënat zyrtare, si pasojë e vështirësisë së gjurmimit të fëmijëve që kanë humbur të vetëm

Përditë Devika zgjohet herët dhe e përgatit kafjallin për gjashtë vëllezërit dhe motrat e saj. Teksa ulen për të ngrënë në dyshemenë e shtëpisë së tyre të bojatisur me ngjyra të ndezura në Delhi, ajo e vendos një tjetër pjatë me ushqim përpara fotografisë në kornizë të prindërve të saj.

Që dy kanë vdekur vetëm pak javë më parë nga COVID-19.

Mësuesja 23-vjeçare ka ngelur personi i vetëm që kujdeset për pesë fëmijët, midis 4 dhe 14 vjeç, dhe burimi kryesor i fuqisë për motrën e saj të dytë, 20-vjeçare. Në gjithë këtë ngarkesë agjencia CNN raporton se asaj mezi i mbetet kohë për ta mbajtur zinë e prindërve.

“Frika ime më e madhe është nëse do të arrij t’i dua po aq sa nëna dhe babai”, thotë Devika, e cila e përdor vetëm emrin e saj për t’u identifikuar nga shqetësimet për privatësinë. “Do të fitoj para. Kam besim në veten. Edhe motra ime do të fitojë para gjithashtu. Kam besim në të. Ne mund ta bëjmë atë që duhet bërë për sa u përket parave, por mungesa e prindërve në jetët e tyre është një boshllëk i madh për ta, si mund ta mbushim atë ne”, është pyetur ajo, teksa ka folur për CNN.

Ajo dhe vëllezërit e motrat e saj janë në mesin e të paktën 577 fëmijëve indianë që kanë humbur që të dy prindërit nga COVID-19 midis 1 prillit dhe 25 majit, kur vendi ishte përballur me valën e dytë shkatërrimtare të sëmundjes, kanë treguar të dhënat qeveritare të siguruara nga CNN-i. Por organizatat joqeveritare druajnë se shumë jetimë të tjerë – potencialisht me mijëra – nuk janë përfshirë në të dhënat zyrtare, si pasojë e vështirësisë së gjurmimit të fëmijëve që kanë humbur të vetëm.

“Janë bashkë tani”

Vetëm pak muaj më parë jeta kishte pamje krejt tjetër për Devikan dhe familjen e saj. Ajo ishte përqendruar në studimet për edukim dhe në kohën e lirë punonte si mësuese. Babai i saj ishte prift hindus në një tempull dhe i vizitonte shtëpitë e zonës për rituale fetare. Insistonte që ta vazhdonte punën, ani pse numri i rasteve me sëmundjen po rritej në kryeqytet. Nëna e saj kryesisht rrinte në shtëpi, duke u kujdesur për fëmijët dhe nganjëherë ndihmonte edhe në tempull.

Në fundprill, kur India po raportonte më shumë se 350.000 raste të të infektuarve në ditë, nëna 38-vjeçare e Devikas ia kumtoi asaj një lajm shqetësues: E kishin kapluar ethet.

“Devika ishte munduar që t’i izolonte fëmijët në katin e sipërm, por ishte bërë tepër vonë. E gjithë familja – përfshirë babanë e saj 53-vjeçar – patën ethe. Ndonëse fëmijët kurrë nuk ishin testuar për COVID-19, nëna e Devikas më vonë rezultoi pozitive në spital”, ka raportuar CNN.

Fëmijët e morën veten, por gjendja e nënës së tyre u përkeqësua dhe sigurimi i ilaçeve të duhura për të rezultoi i pamundur. Pasi që i vizitoi tri spitale brenda një nate, Devika në fund e gjeti një në qytetin më të afërt që do ta pranonte nënën e saj, porse aty nuk kishte oksigjen apo ventilatorë.

“Ishim aq të dëshpëruar. Bëmë krejt çfarë patëm në dorën tonë. Por nuk ia dolëm”, ka thënë ajo për transmetuesin amerikan.

Në po të njëjtën kohë babai i saj u shtri në një spital në Delhi. Kur nëna e saj vdiq më 29 prill, Devika nuk e pati guximin që t’i tregonte atij. Ai e kishte një shprehje që rëndom ia thoshte gruas së tij: “Pa ty nuk ka lumturi në jetë”.

Devika e kujtoi këtë shprehje, kur trupi i nënës së saj u dërgua në spitalin e Delhit, ku po i trajtohej babai, ashtu që ai të mund ta shihte edhe herën e fundit para se të digjej.

“Nëna ishte në ambulancë, babai doli nga spitali dhe e pa. I uli sytë dhe nuk e tha as edhe një fjalë të vetme”, kujton Devika për CNN. Pas kësaj ajo mendon se babai e humbi krejt vullnetin për të jetuar. Dhe vetëm një javë më vonë, më 7 maj, edhe ai vdiq nga COVID-19.

“Vërtet mendojmë se ai donte të shkonte te nëna”, ka thënë ajo. “Babai çmendej pas saj. Ata janë bashkë tani”, tha ajo dhe u shkreh në vaj.

Pasi që prindërit i vdiqën, Devika druante se autoritetet do t’ia merrnin vëllezërit dhe motrat. I telefonoi një linje qeveritare për përkujdesjen e fëmijëve. Ata i thanë se ajo ishte kujdestarja kryesore e tyre dhe e udhëzuan se çfarë të bënte. Por javët e fundit ishin të mjegullta për të.

Mori hua për ta paguar trajtimin e prindërve dhe me këto para po mundohet tani që ta mbajë familjen e mbetur në këmbë. E para së gjithash i duhet që të mbahet e fortë para vëllezërve e motrave.

“Aq shumë gjëra kanë ndodhur, saqë lotët nuk më dalin më”, thotë ajo për CNN-in.

Çfarë po bëhet për të ndihmuar

Image

Devika kishte arritur që t’i kontaktonte autoritetet për t’i njoftuar për fatin që e kishte gjetur, ama i këtillë nuk është rasti për të gjithë. Për fëmijët në viset rurale qasja mund të jetë shumë e vështirë. Nuk kanë kyçje në internet dhe përballen edhe me vështirësi të tjera.

“Ata për të cilët ne nuk jemi në dijeni janë pikërisht ata për të cilët shqetësohemi më së shumti”, ka thënë Sudarshan Suchi, shefi ekzekutiv i organizatës “Save the Children” në Indi. CNN ka raportuar se në një instancë stafi i “Save the Children” ka mësuar për dy fëmijë, babai i të cilëve ka vdekur në spital, ndërsa nëna në shtëpi, që të dy nga COVID-19. Dy fëmijët dyshohej se ishin prekur nga sëmundja, kështu që fqinjët ngurruan që t’u ndihmonin dhe fëmijët nuk mundnin as që t’i përdornin banjat e përbashkëta, ka theksuar Suchi për CNN.

“Nëse më herët tërmeti apo vërshimet godisnin ndonjë fshat të vogël apo koloni, të gjithë bashkoheshin dhe gjenin mënyra për shpëtim. Kur COVID-i goditi, mendimi i parë ishte se të gjithë duhen qëndruar larg njëri-tjetrit”, ka theksuar ai. “Sikur të ishte ndonjë fantazmë e panjohur”.

Për të gjetur një lloj zgjidhjeje, ministri për çështjet e Grave dhe Zhvillimin e Fëmijëve, Smriti Z Irani, ka nxitur njerëzit që t’i njoftojnë autoritetet rreth fëmijëve për të cilët kanë shqetësime. Ekzistojnë pak të dhëna rreth numrit të saktë të fëmijëve që kanë rënë edhe pre e trafikantëve shkaku i pandemisë, teksa numri i atyre pa strehë mbi kokë është rritur. Kjo mund të ketë ndodhur, sipas CNN-it, shkaku që prindërit e tyre kanë vdekur nga COVID-i apo se prindërit nuk munden më që të kujdesen për ta sherri i humbjes së vendeve të punës.

“Para pandemisë, nën rrethana normale, kishte më shumë se 2 milionë fëmijë të vetëm dhe nëpër rrugë”, ka thënë Suchi në maj. “Gjërat në pandemi vetëm sa janë përkeqësuar, nuk janë përmirësuar”.

Edhe para valës së dytë të sëmundjes kishte shumë më tepër fëmijë që jetonin nëpër rrugë, ka raportuar CNN-i.

E ardhmja në pikëpyetje?

Aktualisht, përqendrimi i autoriteteve është që fëmijët të jenë të sigurt. Por jetimët e COVID-it në Indi demonstrojnë se sa shkatërrimtar do të jetë viti i fundit edhe pasi që pandemia të marrë fund.

Qeveria e Indisë ka ndarë mbështetje financiare për fëmijët bonjakë të COVID-it, duke u ofruar arsimim pa pagesë dhe nga 13.732 dollarë fonde personale si stipendi mujore për pesë vjet, pasi që të mbushin 18 vjeç.

“Fëmijët e paraqesin të ardhmen e këtij vendi dhe vendi do të bëjë çmos për t’i mbështetur dhe mbrojtur fëmijët, në mënyrë që të zhvillohen në qytetarë të fortë dhe ta kenë një të ardhme të ndritur”, thuhej në një deklaratë të lëshuar në maj nga zyra e kryeministrit, Narendra Modi.

Por Sochi thotë se mbijetesa është prioriteti.

“Këta fëmijë, veçse të brishtë, do të futen në spiralen e kësaj. Nuk është puna veç e sëmundjes së tyre me COVID – janë edhe arsimimi, shëndeti, siguria e tyre shoqërore që përnjëherë janë rrënuar”, ka theksuar Suchi, duke folur për agjencinë amerikane. E pas kësaj duhet të ketë mbështetje për të ardhmen.

“Nuk mund ta shpëtoni një fëmijë duke e nisur punën nga mesi dhe duke i zhgënjyer kah fundi apo dikur kur ngjiten malit”, ka theksuar ai.

E ardhmja e vëllezërve e motrave peshon rëndë mbi supet e Devikas.

Nuk u ka treguar atyre më të vegjëlve se prindërit kanë vdekur – u ka thënë vetëm se ata kanë shkuar përkohësisht në periferi. Kur ata ishin gjallë, Devika i pyeste se pse dilnin jashtë, kurse pandemia po e bënte kërdinë. Ditën kur nënës së saj iu shfaqën ethet, Devika i kërkoi që të mos shkonte për të ndihmuar në tempull. U kishte thënë që të dyve se të qenët gjallë dhe të sigurt ishte shumë më e rëndësishme se të fituarit e parave. \ CNN

Përgatiti: Nita Lleshi