Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Jeta dhe karriera e anëtares së Gjykatës Supreme në SHBA, Ruth Bader Ginsburg

Anëtarja e Gjykatës së Lartë së Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg u nda nga jeta dje në banesën e saj në Washington, në moshën 87 vjeçare.

Gjykatësja Ginsburg vdiq nga komplikimet nga kanceri i pankreasit, njoftoi Gjykata e Lartë. Ginsburg, një zë i fuqishëm për kauza liberale ishte vetëm e dyta grua që bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë.

“Kombi ynë ka humbur një gjykatëse me një stature historike”, tha përmes një deklarate Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Anëtarja e Gjykatës Supreme Ruth Bader Ginsburg, gruaja e dytë që shërbeu në gjykatën më të lartë amerikane, e filloi profesionin në një periudhë kur kishte shumë pak gra juriste. Ajo u përpoq gjatë karrierës së saj të zgjeronte barazinë e grave dhe arriti në statusin e pothuajse një ikone në radhët e qarqeve progresiste. Ginsburg lindi më 15 mars 1933, në Bruklin të New Yorkut dhe vdiq në moshën 87 vjeçare në Washington.

Image

Më 10 gusht 1993, Ruth Bader Ginsburg u bë gruaja e dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që u bë anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Edhe Vdes gjykatësja e Gjykatës Supreme në SHBA, ikona për të drejtat e grave Botë Vdes gjykatësja e Gjykatës Supreme në SHBA, ikona për të drejtat e grave

Ginsburg e dinte se ajo dëshironte të bëhej avokate që në vitin e tretë në kolegj.

Ajo ishte e motivuar nga "frika e kuqe" që mbërtheu kombin në vitet 1950, kur amerikanët kishin frikë nga kërcënimi i perceptuar nga Bashkimi Sovjetik.

Në një proces të udhëhequr nga senatori Joseph McCarthy, mijëra njerëz u akuzuan publikisht si komunistë.

"Kishte avokatë të guximshëm që ngrinin zërin për ata njerëz dhe po i kujtonin Senatit tonë, të shikonin Kushtetutën, të shikonin amendamentin e parë, se çfarë thuhet aty? Nëse avokatët mund të na ndihmojnë të kthehemi në kontakt me vlerat më themelore, kjo është ajo që unë dua të jem", tregonte Ginsburg.

Prindërit e Ginsburg nuk e inkurajuan atë të studionte për drejtësi, të frikësuar se nuk do të ishte në gjendje të gjente një punë në profesionin e mbizotëruar nga burrat.

Por, Ginsburg ishte e vendosur. Dhe pasi u diplomua nga Universiteti Cornell në 1954, ajo u pranua në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit Harvard, vetëm pesë vjet pasi filloi të pranonte gra.

"Kur hyra në fakultetin e drejtësisë, ishim mbi 500 vetë, nëntë prej nesh ishin gra", tregonte Ginsburg.

Dy vjet më vonë, burri i saj - Martin Ginsburg, një avokat i njohur i taksave dhe profesor i drejtësisë - filloi punë në qytetin New York, dhe Ginsburg u transferua në Shkollën e Drejtësisë në Columbia ku ajo mori diplomën e saj në 1959.

Dhe, siç e kishin parashikuar prindërit e saj, ajo e pati të vështirë të hynte në botën e burrave.

"Nuk kishte asnjë firmë të vetme (ligjore) në të gjithë qytetin e New Yorkut që të ishte e gatshme të rrezikonte me mua", tha ajo.

Por me ndihmën e një profesori, ajo filloi një punë zyre.

Menjëherë pas kësaj, ajo filloi të jepte mësim në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Rutgers dhe atë të Universitetit Columbia.

Edhe Ginsburg varroset pranë bashkëshortit të saj në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit Botë Ginsburg varroset pranë bashkëshortit të saj në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit

Në 1972, Ginsburg themeloi Projektin për të Drejtat e Grave, për të punuar për barazinë për gratë dhe vajzat, në të gjitha sferat e jetës.

"Në atë kohë kishte shumë, shumë ligje që u jepnin përparësi burrave ngaqë thjesht ishin burra", thotë Lenora Lapidus.

Lapidus është drejtore e Projektit të të Drejtave të Grave, në Unionin Amerikan për Liritë Civile (ACLU).

"Gjatë gjithë viteve 1970, ndërsa drejtoi Projektin për të Drejtat e Grave, ajo solli çështje gjyqësore të njëpasnjëshme në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të përcaktohej që Kushtetuta ndalonte diskriminimin seksual", thotë Lapidus.

Dy dekada më vonë, Ruth Bader Ginsburg ishte anëtare e asaj Gjykate, e emëruar në 1993, nga Presidenti Bill Clinton.

Gjatë kohës së saj në Gjykatën e Lartë, ajo ishte një zë elokuent për anën liberale të kësaj trupe.

Ginsburg besonte se pengesat gjinore me të cilat përballen gratë në vendin e punës sot janë zhdukur në Shtetet e Bashkuara.

Ajo që mbetet, tha ajo, është diçka që nuk mund ta vendosë një gjykatë; që shoqëria amerikane të jetë e hapur ndaj idesë që gratë dhe burrat kanë nevojë për një ekuilibër midis punës dhe familjes.

Ginsburg ekuilibroi jetën e saj si nënë e dy fëmijëve që punonte, me dashurinë dhe mbështetjen e burrit të saj Martin, i cili ndërroi jetë në 2010.

"Gjëja më e rëndësishme ishte që kisha një partner të jetës, burrin tim, i cili mendonte se puna ime ishte të paktën po aq e rëndësishme sa e tija, dhe që dëshironte shumë të bëhej pjesë e viteve të rritjes së fëmijëve të tij", tha Ginsburg.

Anëtarja e Gjykatës së Lartë thoshte se ajo gjithmonë përpiqej të bënte atë që ajo besonte se është e drejtë.

Edhe Trumpi nominon Barretin për të zëvendësuar Ginsburgun Botë Trumpi nominon Barretin për të zëvendësuar Ginsburgun

"Shpresoj që të kujtohem si dikush që e donte ligjin, e donte vendin e saj, e donte njerëzimin, çmonte dinjitetin e çdo individi dhe punonte sa më shumë me çfarëdo talenti që kishte, për ta bërë botën pak më të mirë se ç’ishte", thoshte Ginsburg./VoA