Nëntë shtetas amerikanë të vrarë nga sulmi i Hamasit në Izrael
Kështu ka bërë të ditur të hënën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matt Miller.
Nga Administrata Biden të dielën është njoftuar se kanë njohuri për katër të vdekur, megjithatë presin që numri i viktimave të rritet.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja po punon për të verifikuar raportet e amerikanëve të zhdukur dhe të vdekur pasi Hamasi filloi sulmin kundër Izraelit.
Izraeli thërret 300 mijë rezervistë
Izraeli ka thirrur 300.000 ushtarë rezervistë për t’iu përgjigjur sulmit të Hamasit, raportoi “Al Jazeera” të hënën.
Siç raportohet, Izraeli po përpiqet të rekrutojë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për një pushtim të mundshëm tokësor.
“Shumë njerëz këtu në Izrael shërbyen në ushtri si pjesë e shërbimit të tyre kombëtar gjatë adoleshencës së vonë dhe fillimit të të 20-tave. Ata që thirren, mbeten në trupë rezervë për të shërbyer në konfliktin e mundshëm të ditëve në vijim”, ka bërë të ditur një zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Izraeli urdhëron rrethimin e Gazës
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka urdhëruar një “rrethim të plotë” në Rripin e Gazës, duke shtuar se zona do të mbetet pa energji elektrike, pa ushqim dhe pa karburant, ka raportuar BBC-ja të hënën.
Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazën dhe vijën bregdetare dhe kufizon së çfarë mallrash lejohen të futen e të dalin nëpërmjet pikave kufitare.
Të paktën 493 njerëz kanë vdekur dhe 2,651 janë plagosur në Gaza që kur Izraeli filloi të kryejë sulme ajrore në përgjigje të sulmit të papritur të Hamasit të shtunën herët në mëngjes, tha ministria palestineze e shëndetësisë.
Në anën tjetër Hamasi thotë se ka lëshuar 120 raketa drejt qyteteve jugore izraelite të Ashdod dhe Ashkelon në përgjigje të sulmeve ajrore izraelite, tha grupi militant në një deklaratë.
Sulmi vjen pasi grupi tha se hodhi raketa drejt Jerusalemit dhe Tel Avivit më në veri, duke ndezur sirenat në ato qytete.
Shkon në 436 numri i të vdekurve në Gaza, mbi 2200 të plagosur
Numri i të vdekurve në Gaza është rritur në 436, thanë zyrtarët palestinezë të hënën, ndërsa Izraeli po godet territorin e izoluar dhe me popullsi të dendur me sulme ajrore në përgjigje të sulmit të Hamasit.
Në mesin e të vrarëve janë edhe 81 fëmijë dhe 61 gra, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë në Gaza.
Rreth 2,271 njerëz janë plagosur në Gaza, duke përfshirë 244 fëmijë dhe 151 gra, shtoi ministria.
Ndërkohë, numri i të vdekurve në Izrael është rritur në më shumë se 700, tha të dielën një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Izraeli sulmoi gjatë tërë natës grupet e Hamasit
Mbi 500 objektiva në Gaza u goditën nga forcat ajrore izraelite brenda orëve të para së të hënës, ka raportuar BBC-ja.
Siç kanë bërë të ditur Forcat Ajrore të Izraelit, avionët dhe helikopterët luftarakë qëlluan në shtatë qendra komanduese të Hamasit dhe një qendër komande të grupeve xhihadiste.
Zyrtarët palestinezë kanë bërë të ditur se 413 persona janë vrarë në Gaza qëkur filluan sulmet ajrore izraelite.
Shifrat e përditësuara thonë se mbi 700 izraelitë janë vrarë nga sulmet e Hamasit në Izrael, ndërsa mbi 370 palestinezë janë regjistruar të vrarë e mbi 2.200 të lënduar.
12 shtetas tajlandezë të vrarë dhe 11 të rrëmbyer nga Hamasi
Ministria e Jashtme e Tajlandës thotë se 12 shtetas tajlandez janë vrarë që kur Hamasi nisi sulmet e tij të shtunën në mëngjes.
11 të tjerë u rrëmbyen dhe tetë u plagosën.
Një punëtor tajlandez tha se ai pothuajse u vra të shtunën.
“Isha duke u zvarritur poshtë një kamioni, atëherë një nga militantët e Hamasit më nxori jashtë dhe më drejtoi armën”, tha ai.
Ka rreth 30,000 shtetas tajlandez në Izrael dhe rreth 5,000 në Rripin e Gazës.