Ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” me synimin për lirimin e më shumë pengjeve, kalimin e sasive më të mëdha të ndihmave në Gaza dhe lëvizjen drejt “fillimit të një zgjidhjeje politike”. Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kanë kërkuar ndërkohë një armëpushim “të qëndrueshëm”, duke thënë se “shumë civilë janë vrarë”
(AP) - Qeveria e Izraelit është përballur me protesta lokale dhe me thirrje për armëpushim nga disa prej aleatëve të saj më të afërt evropianë të dielën, pas një serie sulmesh, duke përfshirë vrasjen e tri pengjeve që valëvitnin flamuj të bardhë.
Protestuesit i kanë bërë thirrje Qeverisë që të rifillojë negociatat për pengjet, me udhëheqësit e Hamasit në Gaza, të cilët Izraeli është zotuar se do t’i shkatërrojë. Izraeli gjithashtu mund të përballet me presion pas vizitës gjatë kësaj jave të sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, pasi Washingtoni ka shprehur shqetësimin në rritje për numrin e viktimave civile, edhe pse ofron mbështetje jetike ushtarake dhe diplomatike për këtë vend.
Si pasojë e luftës ajrore dhe tokësore, pjesë të mëdha të Gazës veriore janë rrafshuar, mijëra civilë janë vrarë dhe shumica e popullsisë është zhvendosur në pjesën jugore të territorit të rrethuar, ku shumë prej tyre kanë gjetur strehim në kampe të mbushura me njerëz, duke mbijetuar nga një sasi e vogël e ndihmave humanitare. Rreth 1.9 milionë palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli “do të vazhdojë të luftojë deri në fund”, me synimin për të eliminuar Hamasin, i cili shkaktoi luftën me sulmin e tij të 7 tetorit në Izraelin jugor. Militantët palestinezë vranë rreth 1200 njerëz atë ditë, kryesisht civilë dhe kapën shumë pengje.
Netanyahu është zotuar të kthejë 129 pengjet që mbahen ende në Gaza. Mediat izraelite kanë raportuar se David Barnea, kreu i Agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, është takuar gjatë fundjavës me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i cili ka ndërmjetësuar te Hamasi për të diskutuar për një zgjidhje të re për pengjet.
Në Gaza ndërkohë, për të katërtën ditë me radhë, është ndërprerë komunikimi – më gjatë se disa ndërprerje të mëhershme, për të cilin grupet e ndihmës kanë thënë se ndërlikon përpjekjet e shpëtimit dhe e bën edhe më të vështirë monitorimin e numrit të civilëve të vrarë.
Zyrtarët ushtarakë kanë thënë të shtunën se tri pengjet që u vranë gabimisht nga trupat izraelite ishin përpjekur të sinjalizonin se nuk ishin armiq.
Tri pengjet, të gjithë rreth të 20-tave, u vranë të premten në zonën e qytetit të Gazës në Shijaiyah, ku trupat janë përfshirë në luftime të ashpra me Hamasin. Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se të shtënat ishin kundër rregullave të angazhimit të ushtrisë dhe se po hetohet rasti nga autoritetet më të larta të vendit.
Izraeli ka thënë se po bën çdo përpjekje të mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve dhe po e akuzon Hamasin se po i përdor ata si mburojë njerëzore. Por palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë akuzuar vazhdimisht forcat izraelite për rrezikimin e pamatur të civilëve.
Të paktën pesë palestinezë janë vrarë gjatë një sulmi izraelit në një kamp refugjatësh të ndërtuar në qytetin Tulkarem të Bregut Perëndimor, ka njoftuar të dielën Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Javën e kaluar, Izraeli pati bërë të ditur se po niste një hetim të policisë ushtarake pasi një grup izraelit i të drejtave postoi video që tregonin trupat duke vrarë dy burra – njëri i paaftë dhe i dyti i paarmatosur – gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor.
Në Gaza palestinezët në disa raste kanë thënë se ushtarët izraelitë kanë qëlluar civilët që po largoheshin. Hamasi ka pretenduar se pengje të tjera janë vrarë nga sulmet me armë ose sulmet ajrore izraelite, pa paraqitur prova.
Si pasojë e ofensivës më shumë se 18.700 palestinezë janë vrarë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi. Që atëherë, ajo nuk ka qenë në gjendje të përditësojë bilancin për shkak të ndërprerjes së komunikimit dhe ka thënë për javë të tëra se mijëra viktima të tjera janë ngujuar nën rrënoja.
Ministria nuk bën dallime mes vdekjeve të civilëve dhe luftëtarëve, por gjatë gjithë luftës ka thënë se shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Sipas ushtrisë izraelite, 121 ushtarë të saj janë vrarë në ofensivën e Gazës. Ushtria ka raportuar se ka vrarë mijëra militantë, pa dhënë prova.
Në Izrael të dielën, ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” që synon lirimin e më shumë pengjeve, kalimin e sasive më të mëdha të ndihmave në Gaza dhe lëvizjen drejt “fillimit të një zgjidhjeje politike”.
Ministria e Jashtme e Francës ka raportuar të mërkurën se një nga punonjësit e saj vdiq në një sulm izraelit në një shtëpi në qytetin jugor të Rafahut. Ministria ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar sqarime nga autoritetet izraelite.
Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë kanë kërkuar ndërkohë një armëpushim “të qëndrueshëm”, duke thënë se “shumë civilë janë vrarë”.
“Izraeli nuk do ta fitojë këtë luftë nëse operacionet e tij shkatërrojnë perspektivën e bashkëjetesës paqësore me palestinezët”, kanë shkruar sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në “Sunday Times: të Britanisë së Madhe.
Austin do të udhëtojë në Izrael për të vazhduar diskutimet mbi një afat kohor për përfundimin e fazës më intensive të luftës. Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë kanë folur për një transicion në sulme, që cak kanë vrasjen e udhëheqësve të Hamasit dhe shpëtimin e pengjeve, pa thënë se kur do të ndodhë kjo.
Gjendja e rëndë e civilëve palestinezë ka marrë pak vëmendje brenda Izraelit, ku shumë janë ende thellësisht të traumatizuar nga sulmi i 7 tetorit dhe ku mbështetja për luftën mbetet e fortë.
Por zemërimi për vrasjen e gabuar të pengjeve ka të ngjarë të rrisë presionin ndaj Netanyahut për të rifilluar negociatat e ndërmjetësuara nga Katari me Hamasin për shkëmbimin e më shumë pengjeve të mbetura, me palestinezët e burgosur në Izrael.
Një numër i madh protestuesish kanë vendosur tenda jashtë Ministrisë së Mbrojtjes në Tel-Aviv të shtunën, duke thënë se do të qëndrojnë derisa qeveria të rifillojë negociatat për pengjet me Hamasin.
“Pengjet po përjetojnë ferrin dhe ata janë në rrezik vdekjeprurës”, ka thënë Raz Ben-Ami, një nga pengjet e liruara në shkëmbimin e fundit. “Izraeli duhet të ofrojë një marrëveshje tjetër për lirimin e pengjeve”.
Hamasi ka njoftuar se nuk do të lirohen më pengje derisa të përfundojë lufta dhe se në këmbim do të kërkojë lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë, duke përfshirë militantë të profilit të lartë.
Hamasi ka liruar mbi 100 prej më shumë se 240 pengjeve të kapura më 7 tetor në këmbim të lirimit të shumë të burgosurve palestinezë gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor. Pothuajse të gjithë të liruarit nga të dyja palët ishin gra dhe të mitur. Izraeli ka shpëtuar një peng.
Përktheu: Forca Jashari